Serbët e (pa)ndarë në veri e jug

Ambiciet e serbëve që jetojnë në Kosovë janë të shumta për vitin 2015, por ambicia e parë është që të ndryshohet trajtimi i bashkësisë serbe, si bashkësi e ndarë në serbë të veriut dhe serb të jugut të Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit institucional të serbëve dhe njohësit serb të zhvillimeve politike në Kosovë.Aleksandar Jablanoviq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe lider i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është përgjegjësi e politikanëve serb që ta mundësojnë që bashkësia e tyre në Kosovë të mos shikohet si e ndarë.

“Kjo ndarje është krijuar në mënyrë artificiale, për të zvogëluar rëndësinë e popullit serb në Kosovë, e më këtë edhe të përfaqësuesve të tyre politik”, tha Jablanoviq.

Sipas tij, tashmë për herë të parë, pas 15 vjet, Lista Serbe ka sjellë unitetin e plotë në skenën politike që i përfaqëson serbët në Kosovë. Ai poashtu thotë se ambiciet e serbëve në veri dhe në jug të Kosovës, janë të njëjta.

“Ata duan të jenë të mbrojtur me të gjitha normat ligjore ekzistuese në Kosovë. T’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, e para së gjithash, që përfaqësuesit e tyre politik, fillimisht tu mundësojnë të paktën ato të drejta, të cilat në Kosovë janë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj për jo shqiptarët, në këtë rast, për serbët”, theksoi Jablanoviq.

Por, Rangjel Nokiq, njohës i zhvillimeve politike nga Graçanica, thotë për Radion Evropa e Lirë, që gjatë vitit 2015 politikanët duhet të angazhohen në drejtim të asaj që të barazohen mundësitë për të gjithë serbët, në jug dhe në veri të vendit. Ambicia e përbashkët e serbëve të Kosovës, në përgjithësi, sipas tij, është formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe ai pret që kjo bashkësi të gjej themelet e veta në kuadër të ligjeve ekzistuese të Kosovës.

Kjo, sipas tij, do të mundësonte që problemet e serbëve të zgjidhen në mënyrë të barabartë, pa ndarje në pikëvështrimin jug dhe veri, për faktin se sipas tij, serbët në jug të Kosovës më shumë luftojnë për ekzistencë, se sa ata në veri, të cilët siç thotë ai, financohen edhe nga Beogradi.

“Në jug, njerëzit janë më afër realitetit. Ata, në të vërtetë, i vlerësojnë mundësitë përballë realitetit. Në veri është situata krejtësisht ndryshe. Unë në njëfarë masë, edhe e kuptoj këtë. Serbët në jug tashmë një kohë të gjatë janë pjesë e institucioneve dhe janë mësuar me këtë.”

“Mendoj se tash është një paradoks i vogël, për shkak se në qeverinë e tashme të Kosovës, numri më i madh i serbëve në institucione është nga veriu i Kosovës dhe kjo situatëe ngadalëson barazimin. Por, megjithatë mendoj se është mirë, sepse ata njerëz nga veriu duhet ta ndjejnë funksionimin e institucioneve”, theksoi Nojkiq.

Marko Jakshiq, politikan serb nga Mitrovica e veriut, që i takon taborit të kundërshtarëve të pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se të gjitha ambiciet jetësore të serbëve që jetojnë në Kosovë janë të ndërlidhura me ambiciet politike.

“Dëshira e të gjithë serbëve është që të jetojnë në shtetin e Serbisë. Mendoj se kjo është çështja themelore, sepse nëse nuk jetojnë në shtetin e Serbisë, ata nuk kanë as ardhmëri e as perspektivë për mbijetesë të mëtejme në Kosovë. Vetëm kjo mund t’ju ofroj mbrojtje të drejtë.”

“Ndërkaq, kjo nomenklaturë politike që është në Beograd dhe që i përfaqëson edhe serbët në Kosovë, është pafuqishme dhe e brishtë dhe nuk mund t’i realizoj këto ambicie”, theksoi Jakshiq.

Ai theksoi se pjesa më e madhe e liderëve të deritashëm serb të Kosovës, në qetësi po e braktisin Kosovën, për shkak se, sipas tij, nuk mund të ndikojnë në, siç e quajti ai, gjeopolitikën e botës. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>