Mes shqetësimeve në rritje lidhur me efektivitetin që garanton vaksina kundër COVID-19, e prodhuar nga kompania AstraZeneca, ndaj variantit të Afrikës së Jugut, ministri britanik i Shëndetësisë tha sot se nuk ka asnjë provë që vaksina nuk parandalon vdekjet apo format e rënda të sëmundjes.
Të dielën Afrika e Jugut pezulloi fushatën e vaksinimit pasi një studim i ri zbuloi se vaksina e AstraZeneca-s është më pak efektive kundër një varianti të virusit të gjetur në këtë vend.
Sot Organizata Botërore e Shëndetësisë po zhvillon një takim në lidhje me zhvillimin e fundit në Afrikën e Jugut.
Afrika e Jugut ndaloi shpërndarjen e vaksinave të AstraZeneca-s që luftojnë COVID-19 pasi të dhënat e një studimi të ri treguan se ajo ofronte mbrojtje minimale kundër rasteve të lehta të sëmundjes të shkaktuara nga një variant dominues i koronavirusit në vend.
Lajmi ishte një goditje për Afrikën e Jugut, ndërsa vendi ka pësuar më shumë se 46,000 vdekje nga virusi prej fillimit të pandemisë.
Studiuesit e Universitetit Witwatersrand në Johanesburg dhe atij të Oksfordit thanë se vaksina e AstraZeneca siguronte nje mbrojtje minimale kundër infeksioneve të lehta apo mesatare në mesin e të rinjve të shkaktuara nga i ashtuquajturi varianti i Afrikës së Jugut. Të dhënat e studimit nuk janë shqyrtuar ende nga ekspertë të tjerë të fushës.
Por ministri britanik Edward Argar tha se studimi sugjeronte se nuk kishte prova që vaksina nuk do të ishte efektive në parandalimin e shtrimeve në spital, rasteve të rënda si dhe vdekjeve.
“Ju mund të keni parë dje gjatë një numri intervistash Profesoren Sarah Gilbert (eksperte për prodhimin e vaksinave në Universitetin e Oksfordit). Ajo nuk tha asnjë që mund të përbënte shqetësim, se vaksina nuk do të ishte efektive kundër formave të rënda të sëmundjes, shtrimeve në spital apo vdekjes nga virusi. Në të vërtetë kjo është gjëja kryesore që ne po kërkojmë të trajtojmë në këtë pikë ku ndodhemi. Ne kemi nevojë për të shpëtuar jetë, ne duhet të parandalojmë njerëzit që preken nga format e rënda të sëmundjes”, tha ai.
Ndërkohë Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Veran tha të hënën se ai vazhdonte ta mbështeste vaksinën e AstraZeneca, duke argumentuar se siguronte mbrojtje të mjaftueshme kundër “pothuajse të gjitha varianteve” të virusit.
Sipas tij të paktën 99 për qind e varianteve që qarkullojnë aktualisht në Francë nuk kanë asnjë ngjashmëri me atë të Afrikës së Jugut. Ministri Veran u pa tek merrte vaksinën në një nga qendrat e vaksinimi në qytetin Melun, në rajonin e Parisit.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi, duke mobilizuar të gjithë shkencëtarët, institucionet biologjike, spitalet, autoritetet shëndetësore rajonale, për të kufizuar sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e variantit të Afrikës së Jugut. Sot unë vazhdoj të rekomandoj që punonjësit e shëndetësisë, sikurse bëjnë të gjitha vendet evropiane, të vaksinojnë popullatën me vaksinën e AstraZeneca-s, e cila mbron ndaj te paktën 99 për qind të varianteve që qarkullojnë në të gjithë vendin”.
Ndërkohë të dielën kompania farmaceutike AstraZeneca bëri të ditur se po punonte për prodhimin e një tjetër vaksine që do të ishte më efektive kundër variantit të Afrikës së Jugut, dhe pret që të ofrojë rezultate mbi këtë çështje në vjeshtën e këtij viti.
voa