Lëvizja Vetëvendsoje ka mbajtur konferencë për media pas publikimit të përqindjeve të para të dala nga rezultati i zgjedhjeve të sotme.
Para mediave ka folur lideri i VV-së, Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin.
Kurti ka thënë se u vërtetua se zgjedhjet e sotme ishin referendum i cili u fitua.
“Qytetarët morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe u vërtetua se ato ishin referendum. Ky referendum për drejtësi dhe punë u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar sot. Të gjith ata që mundësuan që të kemi një proces të rregullt e drejt zgjedhor. Dua të falënderoj mërgatën tonë, për qindra eurot e shpenzuara për postë, e për mijëra kilometrat e kaluara vetëm për ta sjellur votën e tyre. Ju i keni dhënë kurajo dhe shpresë një kombi të tërë. E falënderoj presidenten dhe kolegen time për përkushtimin dhe angazhimin e saj. Dua të falënderoj policët që kanë qëndruar në secilin vendvotim”, tha ai.
“Mediat dhe të gjithë gazetarët që kanë informuar publikun drejtë dhe paanshëm. Dhe nuk kam se si t’i harrojë ata që i dua më së shumti, aktivistët. Falënderoj dhe oponentët politik për një garë pa incidente, dhe i uroj për reforma. Kjo fitore madhështore është mundësia që ne ta fillojmë ndryshimin. Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim, mirëpo qëllimin e kemi të mirë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj kujtdo. Kjo fitore është e juaja, prandaj edhe ndryshimi na takon secilit prej nesh”, tha Kurti.
“Pa inate, pa ryshfet, pa nepozitën e pa korrupsion, do ta zhvillojmë dhe demokratizojmë vendin tonë”, tha tutje Kurti.