Kosova shënon 13 vjetorin e pavarësisë

PrishtinaNë Kosovë po shënohet 13 vjetori i pavarësisë me parlament të shpërndarë dhe me president e kryeministër në detyrë. Urimet vijnë nga liderë e politikanë si nga BE edhe SHBA.

13 vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me parlament të shpërndarë dhe me president e kryeministër në detyrë, një rast ky i paprecedent dhe i pandodhur në 13 vjet shtet të Kosovës. Megjithatë, tre ditë më parë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ka një parti fituese, lëvizja Vetëvendosja e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila fitoi me një shumicë të thellë prej rreth 48%. 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë nuk gjendet drejtuesi kryesor i ish- UÇK-së, Hashim Thaҫi që me 17 shkurt 2008 lexoi deklaratën e pavarësisë. Ish- krerët e UÇK-së, Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në Hagë duke u gjykuar si të dyshuar për krime lufte në Gjykatën Speciale e themeluar nga vet Kosova por me seli në Hagë.

Sfida të mëdha për fituesit

Dy udhëheqësit e rinj politikë të Kosovës që në zgjedhjet e 14 shkurtit dolën të parët, Albin Kurti që pretendon postin e kryeministrit dhe Vjosa Osmani, që synon presidencën, i presin vështirësi të mëdha që në ditët e para të themelimit të institucioneve të reja. Që nga ulja e papunësisë, lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi e deri tek pika me e nxehtë, dialogu me Serbinë. Lidhur me dialogun me Serbinë, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka prioritet, por, sipas Bashkimit Evropian dhe SHBA Kosova duhet ta ketë prioritet dialogun.

Urimet nga BE e SHBA

Në letrën e urimit për Kosovën në 13 vjetorin e pavarësisë, presidenti amerikan Joe Biden, thotë se “mezi presin që të punojnë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane”. “Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Biden, i cili siҫ shprehet në letër për të personalisht “Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden”.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shkruan se “Kosova dëshiron të shkojë përpara në rrugën e saj evropiane dhe se ka shumë punë për të bërë”. “Brenda asaj, ju duhet të luftoni korrupsionin dhe të ndihmoni ekonominë, por dialogu me Beogradin është diçka që nuk mund ta neglizhoni. Pa një marrëveshje me Serbinë nuk ka perspektivë për integrimin në BE”, shkroi Cramon.

Edhe raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti gjerman Peter Beyer, duke uruar Kosovën në 13 vjetorin e pavarësisë, shkruan se BE duhet të mbajë premtimin që Kosovës t’ia japë liberalizimin e vizave. “Siç ka thënë ambasadori prof. Wolfgang Ischinger: Në rregull, ta bëjmë tani! Liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës është një premtim i pa përmbushur i BE-së, është në pyetje kredibiliteti i BE-së. Me këtë unë pajtohem plotësisht dhe e përforcoj duke thënë: Jo më justifikime të padrejta. Liberalizim të vizave tani!”, shkroi Bayer në facebook.

Me ceremoni të ndyshme gjithandej vendit po shënohet 13 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, tha se “liria dhe pavarësia s’janë aktet e vetme të bërjes së shtetit, kemi rrugë të gjatë për të forcuar pozicionin tonë e për ta bërë Kosovën strehë të sigurt për çdo qytetar”. “Sot më shumë se kurrë duhet të tregojmë që t’i japim shtetit tonë drejtimin e duhur. Sot vendit tonë i duhet solidaritet, unitet e kohezion institucional sepse projekti për shtetin sovran të pavarur e demokratik vazhdon”, tha Vjosa Osmani duke shtuar se “Kosova synon integrimin në Bashkimin Evropian e që shpejt të jetë pjesë e NATO-s”.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti nga ana e tij, thotë se ai do të punojë shumë “për të nderuar ata që dhanë gjithçka që të mund të jetojmë të lirë”. “Krenar për trashëgiminë tonë, të etur për sukses dhe të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin, ne festojmë sot 13 vjetorin e Pavarësisë sonë. Ne do të punojmë shumë për të nderuar ata që dhanë gjithçka që të mund të jetojmë të lirë”, shkroi Kurti në Twitter. Ndonëse 13 vjetori i pavarësisë Kosovën e gjen pa institucione plotësisht funksionale, ato pritet të themelohen shpejt, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe certifikimit të rezultatit. Vetëvendosja si partia e parë dhe lideri i saj Albin Kurti, synon ta formojë qeverinë dhe të zgjidhet kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani synon postin e presidentës.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>