Ministri francez: Vaksinat ruse dhe kineze, rrezik për unitetin e bllokut dhe shëndetin publik

a_medical_specialist_holds_a_vial_of_sputnik_v_vaccine_against_the_coronavirus_at_a_vaccination_center_in_the_state_department_store_gum_in_central_moscow_russia_january_18_2021._reutersNjë ministër i kabinetit francez u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mos i përdorin vaksinat ruse ose kineze për COVID-19n, nëse ato nuk miratohen nga rregullatori i BE-së për barnat.

Ministri i Çështjeve Evropiane Clement Beaune paralajmëroi të premten se vaksinat ruse dhe kineze përbëjnë rrezik për unitetin e bllokut dhe për shëndetin publik.

Pas një fillimi të vështirë të fushatës së vaksinimit, që e la Bashkimin Evropian prapa disa vendeve të tjera si Britania, disa shtete anëtare në Evropën Qendrore kanë blerë ose po shikojnë mundësinë për të blerë vaksina ruse ose kineze.

I pyetur nëse secili vend anëtar po bënte thjesht “atë që dëshironte”, Ministri Beaune tha për radion RTL: “Nëse zgjedhin vaksinën kineze ose ruse, kjo mendoj se do të ishte mjaft serioze”.

Ai tha se kjo “do të përbënte problem në kuptimin e solidaritetit tonë dhe do të paraqiste një rrezik për shëndetin, sepse vaksina ruse nuk është ende e autorizuar në Evropë”.

BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Evropian.

Megjithatë vaksina ruse Sputnik V është miratuar ose po vlerësohet për miratim në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Hungaria tashmë ka filluar imunizimin e njerëzve me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, ndërsa Polonia po diskuton për blerjen e vaksinës kineze.

Rregullatori evropian i barnave EMA, tha të enjten se kishte filluar një vlerësim të vaksinës Sputnik V. Por edhe nëse miratohet, Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim që ta përfshijë atë në listën e tij.

Evropa deri tani ka miratuar vaksinat Pfizer / BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca / Oxford, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate CureVac dhe Novavax.

EMA pritet të shpallë vendimin e saj mbi vaksinën me një dozë të vetme me Johnson & Johnson më 11 mars.

Hungaria ishte vendi i parë i BE-së që miratoi për përdorim emergjent vaksinën ruse në janar; Sllovakia ka porositur kontingjente të vaksinës, ndërsa Kryeministri Çek, Andrej Babis, ka thënë se vendi i tij mund të marrë masa për të përdorur vaksinën Sputnik V.

Rajoni italian i Lazios tha se do të kërkonte 1 milion doza të vaksinës ruse, nëse miratohet nga EMA, ndërsa qeveria e enklavës së vogël të pavarur të San Marinos tha se kishte filluar përdorimin e vaksinës ruse këtë javë.

Presidenti polak Andrzej Duda gjithashtu ka biseduar me udhëheqësin kinez Xi Jinping për blerjen e vaksinës kineze.

Disa në Rusi e kanë quajtur vaksinën Sputnik V si një “urë” të mundshme midis Rusisë dhe Evropës.

Komisioni Evropian thotë se nuk janë bërë bisedime në lidhje me blerjen e vaksinës Sputnik V.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>