Courtney Austrian, e ngarkuar me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha të enjten se SHBA-të mbështesin fuqishëm procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në funksion të një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe paqësore në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara njohin rolin e rëndësishëm të Serbisë në këtë. Ne e inkurajojmë Serbinë të ndërmarrë hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, që duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Ne e kuptojmë se kjo do të kërkojë kompromis nga të dyja palët. Status quoja është e paqëndrueshme dhe pengon si Kosovën ashtu edhe Serbinë”, tha ajo.
Duke komentuar një raport të shefit të misionit në Serbi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu, zonja Austrian tha se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me mos përparimin e mjaftueshëm të Serbisë në fushat si pluralizmi i medias, forcimi i institucioneve demokratike, pajtimi rajonal, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe pavarësia gjyqësore, të cilat siç tha ajo “do të garantonin hapjen e kapitujve të rinj të negociatave (për anëtarësim në BE) në vitin 2020 për Serbinë”.
“E dimë se presidenti serb (Aleksandër) Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë janë zotuar të bëjnë përparim thelbësor në reformat e sundimit të ligjit në vitin 2021 dhe inkurajojmë Serbinë të ndërmarrë reformat strukturore të nevojshme për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit të saj. Ndryshimet kushtetuese në lidhje me gjyqësorin janë thelbësore për të ndërtuar një gjyqësor me të vërtetë të pavarur, pa ndikim politik”, tha ajo.
Zonja Austrian tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara për sigurinë e gazetarëve dhe rrethanat që nuk lejojnë përparimin e medias së lirë në Serbi.
“Një mjedis mediatik transparent dhe i gjerë është thelbësor për çdo demokraci. Besojmë se qeveria e Serbisë mund të ketë një qëndrim më të fortë për të treguar që kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Kërcënimet ndaj shoqërisë civile dhe përpjekjet për ta portretizuar atë si armik të qeverisë ose të Serbisë nuk duhet të lejohen”, tha zonja Austrian.
Më herët gjatë këtij muaji, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, vizitoi Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për të siguruar rifillimin e bisedimeve menjëherë pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.
Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 por ka dhjetë vjet që është përfshirë në bisedime për normalizim marrëdhëniesh që është edhe kusht për integrimin evropian të të dyja vendeve.
voa