Në Shqipëri, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së (ODIHR) bëri sot të ditur se sapo ka nisur një mision vëzhgimi për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.
Gjatë fushatës në terren do të jenë 50 vëzhgues, ndërsa pjesa tjetër do të vijnë ditën e zgjedhjeve. Numrat janë ulur për shkak të pandemisë, tha drejtuesja e Misionit, ambasadorja Ursula Gacek, por vëzhgimi do të jetë i plotë në gjithë territorin.
Ekipi i ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ka 13 ekspertë, të cilët janë vendosur tashmë në Shqipëri.
Pas pak ditësh do të vijnë edhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në të 12 qarqet nga data 26 mars.
Ambasadoria Urszula Gacek, e cila drejton misionin vëzhgues, tha se vendet anëtare janë shumë të interesuara që standartet zgjedhore ndërkombëtare të zbatohen plotësisht sa i takon barazisë, ndershmërisë dhe fshehtësisë së procesit, po ashtu edhe në përuthje me Kodin Zgjedhor, ku është bërë një reformë e thellë sa u takon rregullave të garës.
“Kemi shumë të dhëna se si janë zhvilluar zgjedhjet në të kaluarën, por sivjet do të jenë zgjedhje të vecanta për dy arsye: së pari ka shumë ndryshime në legjislacion, së dyti edhe vëzhguesit edhe votuesit do të lëvizin nëpër një process zgjedhor në kohën e pandemisë së COVID, dhe këto të dyja do të ndikojnë në zgjedhje” – tha ambasadorja Gacek.
Për shkak të karantinës, kufizimeve në udhëtim, situatës së pandemisë, që shtrihet kudo dhe jo vetëm në Shqipëri, numri tyre mund të jetë më i ulët.
“Pjesa tjetër do të na bashkohen ditën e zgjedhjeve, por misioni ka njerëz të mjaftueshëm për të qenë të pranishëm kudo, në kryeqytet dhe kudo tjetër në terren, edhe në zonat që mendohen si të nxehta. Misioni do të vëzhgojë ecurinë e fushatës, gjendjen e mediave, ditën e zgjedhjeve dhe do të ketë 3 raporte. Ne do të vëzhgojmë zgjedhjet si të paanshëm dhe nuk jemi policia e zgjedhjeve”, – tha ambasadorja e Gacek.
Po sot edhe KQZ u bëri thirrje partive politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbjatje, sepse zgjedhjet janë për qytetarët.
Dy incidente të motivuara politikisht ndodhën në Elbasan, njëra ditën e verës, kur militant të dy partive u konfrontuan mes tyre, edhe të enjten ish deputeti i opozitës Luçiano Boçi me një biznesmen të zonës. Në të dy rastet shkaset fillestare nuk janë zbardhur nga hetime profesionale, por dihet motivimi politik i nxitur nga ethet e fushatës së parakohshme elektorale.
KQZ theksoi në një deklaratë publike se sjellja dhe fjalimet e përfaqësuesve politik ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek mbështetësit e tyre dhe në cënimin e standardeve të zgjedhjeve.
“Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit” – thuhet në deklaratë.
KQZ kërkoi që partitë të respektojnë njëra tjetrën dhe që të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.
Përfaqësues të KQZ janë takuar me misionin vëzhgues ndërkombatër, ODIHR, i cili ka zhvilluar deri 50 misione vëzhgimi të zgjedhjeve në Shqipëri qysh nga viti 1996.
Misioni do të vlerësojë nëse zgjedhjet do të mbahen sipas angazhimeve të OSBE-së dhe sipas detyrimeve dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike si dhe me legjislacionin kombëtar.
voa