Gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare Vjosa Osmani nga Lista Guxo, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, është zgjedhur presidente e shtetit të Kosovës.
Në raundin e tretë të votimit për president në Kuvend, ku morën pjesë 82 deputetë, ka marrë 71 votat e nevojshme, 11 vota ishin të pavlefshme.
Dje, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit. Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani. Ndërkaq, kundër kandidati i saj është Nasuf Bejta.
Lista Serbe, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan votimin.
Raundi i parë i votimit u përsërit tri herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit. Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë. Edhe raundi i dytë sot ka dështuar për shkak se Vjosa Osmani nuk mori 80 votat e nevojshme.
Ndryshe, që prej 5 nëntorit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë kështu personi më i votuar në Kosovën e pasluftës.
Kush është Vjosa Osmani?
Vjosa Osmani, u lind më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë, ndërsa me profesion është juriste e doktoruar në shkollën e Drejtësisë të Pittsburgut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 25 mars të vitit 2020, Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një mocioni mosbesimi rrëzoi qeverinë e zotit Kurti. Zonja Osmani doli kundër mocionit dhe në qershor Lidhja Demokratike e largoi atë nga të gjitha funksionet partiake.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, zonja Osmani, e cila kandidoi në listën e lëvizjes Vetëvendosje, u bë personi më i votuar në Kosovë duke siguruar më shumë se 300 mijë vota. Ajo ishte kandidate për postin e presidentes në kuadër të marrëveshjes së nismës së saj Guxo me lëvizjen Vetëvendosje.
Vjosa Osmani do të mbajë postin e presidentit të Kosovës për pesë vjet aq sa e përcakton Kushtetuta e Kosovës. Kjo është hera e dytë që në postin e presidentes zgjidhet një grua. Në vitin 2011 në këtë post që zgjedhur zonja Atifete Jahjaga e cila u pasua nga ish presidenti Hashim Thaçi.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhjet parlamentare. Në mandatet e kaluara, ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa në 5 nëntor 2020, ajo ishte Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht.