Biden i propozon presidentit rus takim të nivelit të lartë

bidenPresidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje të martën Presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.

Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ato në zgjedhje,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me grumbullimin e papritur të forcave ruse në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet,” thuhet në deklaratë.

Zoti Biden riafirmoi gjithashtu synimin për të ndërtuar “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë dhe tha se një takim në muajt e ardhshëm mund të trajtojë “gamën e plotë të çështjeve” me të cilat përballen dy fuqitë botërore, sipas deklaratës.

Kremlini tha nga ana e tij se zoti Biden i deklaroi zotit Putinit se ai donte të normalizonte marrëdhëniet dhe të bashkëpunonte për kontrollin e armëve, programin bërthamor të Iranit, Afganistanin dhe ndryshimin e klimës. Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus.

Blinken: Veprimet e Rusisë tejet provokuese. Reagon Moska

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje të martën Rusisë të ndalë rritjen e pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën ndërsa Moska, me një fjalor që të kujton Luftën e Ftohtë, tha se “kundërshtari” i saj duhet t’i mbajë anijet luftarake amerikane larg nga Krimea e pushtuar.

Moska e pushtoi Krimenë, një territor i Ukrainës, në vitin 2014. Luftimet janë përshkallëzuar në javët e fundit në pjesën lindore të Ukrainës, ku forcat qeveritare kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt që zhvillohet prej shtatë vitesh e që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 persona.

Këtë javë në Detin e Zi pritet të mbërrijnë dy anije luftarake amerikane.

Në Bruksel, Sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni qëndron fort pas Ukrainës. Ai ndodhet aty për bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrin e jashtëm të Ukrainës.

Zoti Blinken tha gjithashtu se do të diskutonte edhe rreth planeve të Kievit për t’u bashkuar një ditë me NATO-n megjithëse Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë shprehur shqetësimin se anëtarësimi në NATO i ish-republikës sovjetike do të nxiste armiqësinë me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të minuar pozicionin e Rusisë në skenën botërore“, shkruanin të martën agjencitë ruse të lajmeve duke cituar zëvendës ministrin e Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Komentet e zotit Ryabkov sugjerojnë se qasjet e kujdeshme diplomatike të cilat ish-armiqtë e periudhës së Luftës së Ftohtë kanë kërkuar përgjithësisht t’i ruajnë, janë shkatërruar në dekadat e fundit dhe se Rusia do të vepronte me forcë kundër asaj që ajo e sheh si ndërhyrje të papranueshme nga ana e SHBA-së në sferën e saj të ndikimit.

Paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara se do të ishte më mirë për ta që të qëndrojnë larg Krimesë dhe bregdetit tonë në Detin e Zi. Do të jetë për të mirën e tyre“, tha zoti Ryabkov, duke e quajtur dislokimin e SHBA-së një provokim të krijuar për të vënë në provë durimin rus.

Thirrje për ulje të tensioneve

Zoti Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba pasi ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Grupin e Shtatëshes dënuan atë që ata thanë se ishte rritje e pashpjegueshme e numrit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Duke i bërë jehonë komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili u takua më herët me zotin Kuleba, zoti Blinken tha se Moska po grumbullonte forca në dislokimin më të madh të trupave nga viti 2014, kohë kur Moska aneksoi Krimenë. Ai i quajti veprimet e Rusisë “tejet provokuese”.

Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur mijëra trupa të gatshme për luftime në kufijtë e Ukrainës, zhvendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014“, tha zoti Stoltenberg.

Rusia duhet t’i japë fund kësaj rritjeje të numrit të trupave si brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet e saj e të ulë menjëherë tensionet“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi me zotin Kuleba.

Rusia ka thënë se ajo i lëviz trupat ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse. Ajo ka akuzuar rregullisht NATO-n për destabilizim të Evropës me përforcimet e trupave të saj në Baltik dhe Poloni që nga aneksimi i Krimesë.

 

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>