Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë[1], është një rast interesant i përfshirjes së tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare pasi identiteti i tyre e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluese të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb.
Ashtu si si vëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me asimilim nga ithtarët e Patrikanës së Stambollit që bënte përpjekje të vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , menjëherë pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte qëndrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serbë as me bullgarë, po me fjesht shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”.[2]Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri thirrje bashkatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. [3]Gjithsesi puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore, statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.[4]
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e Londrës-shënimi im) jo për karrekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)[5].
[1] Ruzhdi Mata. Josif Bagëri, , Tiranë:1983, Shtëpia botuese: 8 nëntori, fq 7
[2] Po aty, fq 93
[3] Po aty, fq 95
[4] Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë, fq 574
[5] Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë, fq 196-197
(DK)