Ahmeti i kthehet sërish temave etnike

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, gjatë një konference të përbashkët për media. Fotografi nga arkivi. Hapja e temës për ndryshimin e simboleve shtetërore po bëhet në kohën kur Maqedonia e Veriut po kalon nëpër në një situatë të ndjeshme, pasi Bullgaria po e konteston të kaluarën historike të vendit, ku përfshihen edhe figurat historike dhe himni kombëtarë, vlerësojnë përfaqësuesit e sektorit civil.

Këto reagime vijnë pasi kryetari i partisë shqiptare, që është pjesë e qeverisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për “TV Klan Maqedoni” tha se me palën maqedonase është diskutuar për ndryshimin e himnit, stemës dhe të flamurit shtetëror.

“Është biseduar edhe për himnin, është biseduar edhe për stemën edhe për flamurin e shtetit. Këto janë çështje për të cilat megjithatë duhet të ketë një konsensus, mirëpo kjo do të varet shumë edhe nga një marrëveshje brenda maqedonasve. Sa i takon himnit, do të thotë është biseduar, nuk ka ndonjëra palë kundërshtim të jashtëzakonshëm. Më tepër kjo është çështje kohe dhe mendoj që pa rezerva edhe mund të bisedohet”, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pas kësaj deklarate të Ahmetit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, por edhe zyrtarët e lartë të BDI-së, kanë hedhur poshtë se për momentin, kjo çështje është pjesë e diskutimit brenda partnerëve të koalicionit qeverisës.

Megjithatë, nga BDI-ja kanë theksuar se çështja e ndryshimit të simboleve kombëtare gjithmonë ka qenë pjesë e diskutimeve me palën maqedonase sepse, siç kanë nënvizuar zyrtarët e kësaj partie, himni shtetëror nuk paraqet një element përfshirës, pasi shqiptarët nuk janë pjesë e këtij himni.

Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare SCOPP, thotë për Radion Evropa e Lirë se simbolet e Maqedonisë së Veriut nuk krijojnë një kohezion të nevojshëm brenda shtetit, pasi këto simbole janë miratuar pa pasur një konsensus ndëretnik. Ai shpreh mendimin se të njëjtat duhet të ndryshohen, pasi shqiptarët nuk ishin të përfshirë në procesin e miratimit të tyre, por shton se kjo temë aktualisht nuk është prioritet.

“Është fakt se shqiptarët etnikë, nuk identifikohen me këtë himn (himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut) për shkak se e shohin si përjashtues për ta. Nga ana tjetër, nëse një marrëveshje finale, do të nënkuptonte që disa nga figurat historike që përmenden në vetë himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, do të identifikoheshin si bullgarë, atëherë shtrohet pyetja nëse ata e kanë vendin në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut”, thotë Neziri.

“Ka shumë elemente që të hapen këto tema, por natyrisht ato nuk janë me prioritet dhe për këtë kërkohet një qasje më racionale dhe një kohë më e mirë, ku të gjitha partitë të kenë mendime për këto ndryshime, që në fund të arrihet një konsensus”, shton ai.

Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës për Studime Politike, Vladimir Bozhinovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë deklaratë të Ahmetit, partia e të cilit është pjesë e qeverisë, që është temë etnike, vjen pak kohë pasi kreu i BDI-së njoftoi se partia e tij do të fokusohet në agjendën e gjelbër. Sipas tij, kjo deklaratë ka për qëllim që ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit nga vetoja bullgare, e cila po pengon procesin euro-integrues të shtetit.

“Ngritja e kësaj çështjeje në një mënyrë është koincidencë me veton e Bullgarisë. Nuk është as koha e as momenti që të diskutohet për simbolet shtetërore”, thotë Bozhinovski.

Pas pavarësisë, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar stemën shtetërore që ishte miratuar më 1946, kur shteti ishte pjesë e Federatës Jugosllave. Më 2009, shteti hoqi yllin e pestë nga stema, që ishte simbol i socializmit.

Ndërkaq sa i përket himnit, në tekstin e tij ende përdoret teksti i shkruar nga Vllado Malevski më 1941 dhe në vitin 1992, kur u pavarësua Maqedonia e Veriut, ky tekst, përmes ligjit, u definua si himn shtetëror.

Më 1995, pas presionit të Greqisë, Maqedonia e Veriut hoqi diellin e “Verginës” që ishte pjesë e flamurit shtetëror.

Zaev: BDI-ja e mbylli agjendën etnike

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të dielën ka shprehur “kënaqësinë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbylli agjendën etnike dhe tani është përqendruar te qytetari, me agjendën e saj të gjelbër”.

Të shtunën BDI-ja, parti kjo që ka trashëguar ish-Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, njoftoi se agjenda e gjelbër do të jetë shtylla kryesore e programit të saj partiak.

“Mjaft më me fjalët shqiptarë, maqedonas, serbë, turq, vlleh. Ne kemi qytetarë në vend. Unë dua ta mirëpres atë sepse është një hap përpara, veçanërisht kur vjen nga partia më e madhe në pushtet në bllokun politik shqiptar. Është shumë e rëndësishme kur politikanët dalin në publik dhe japin fjalën e tyre. Kjo do të thotë zotim dhe detyrim për ta zbatuar atë në praktikë. Këtë e mendoj për Lidhjen Social Demokrate (LSDM), por edhe për BDI-në dhe të gjitha partitë e tjera politike”, ka deklaruar Zaev.

Ai theksoi se qytetarët presin nga LSDM-ja dhe BDI-ja, por edhe nga Lëvizja Besa, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe të gjitha partitë të tjera që janë pjesë e koalicionit qeveritar, që në të ardhmen të punojnë për forcimin e të drejtave të punëtorëve, të punojnë për agjendën e gjelbër, mbrojtjen e mjedisit si dhe zhvillimin e ekonomisë.

Gjatë shënimit të 19-vjetorit të formimit të BDI-së, kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti tha se agjenda e gjelbër si shtyllë kryesore vjen pas realizimit të agjendës së Marrëveshjes së Ohrit, për të drejtat e shqiptarëve.

“Ne kemi vendosur barazi përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së paqes të Ohrit, legalizimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, decentralizimit, simboleve dhe kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, integrimit në NATO, duke marrë dritën jeshile për anëtarësimin në BE”, deklaroi të shtunën kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Opozita shqiptare ka akuzuar BDI-në se po heq dorë nga të drejtat e shqiptarëve, që sipas saj ende nuk janë realizuar.

“Një parti e dalë nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, po tenton të mashtrojë qytetarët, dhe në veçanti shqiptarët, me ngjyrën e gjelbër. Ende pa zgjidhur problemet kombëtare apo tematike siç pretendojnë t’i quajnë ata, sot thanë se do të merren me punë të gjelbra”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë opozitare, Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>