Shkencëtarët izraelitë njoftuan se kanë zbuluar një paraardhës të njeriut modern, të panjohur më parë. Zbulimi, thonë antropologët, po hedh dritë të re mbi procesin e evolimit të njeriut:
Zbulimi që ka entuziazmuar shkencëtarët është një kockë e fosilizuar e gjetur në Izraelin qendror. Shkencëtarët thonë se kocka, pjesë e nofullës së poshtme, i përkiste një paraardhësi të njeriut modern që ka jetuar 130,000 vjet më parë.
Zbulimi u raportua nga revista Science ku thuhet se specia parahistorike është pagëzuar Nesher Ramla Homo, duke marrë emrin e vendit ku u gjend kocka.
“Zbulimi i kësaj qenieje të re njerëzore ka rëndësi të madhe shkencore,” tha Israel Hershkovitz i Universitetit të Tel Avivit.
“Ky zbulim na ndihmon të kuptojmë fosilet e gjetura më parë, të cilat janë si copëzat e një panorame të paplotësuar të evolimit të njeriut. Tani po kuptojmë migrimin e njeriut nëpër botë në kohët parahistorike,” thotë Hila May, antropologe në Universitetin e Tel Avivit.
Dr Yossi Zaidner i Universitetit Hebraik e zbuloi fosilen gjatë eksplorimit të një zone minerare pranë qytetit Ramla, ku u zbuluan edhe kocka kuajsh e dreri si dhe vegla pune.
Sipas shkencëtarëve, kjo çon në përfundimin se Nesher Ramla, megjithëse më pak i evoluar se njeriut modern, mund të ketë bashkekzistuar dhe është kryqëzuar me të për më shumë se 100,000 vjet.
Sipas studiuesve, Nesher Ramla u përngjan specieve neandertale të njeriut të lashtë, që e kishin origjinën në Evropë.
“Prandaj kemi dalë me teorinë se Nesher Ramla i përket një grupimi të madh speciesh të njeriut parahistorik, nga të cilat rodhën neandertalët,” thotë Hila May, antropologe në Universitetin e Tel Avivit.
Ekspertët nuk kanë arritur të shpjegojnë përfundimisht përse gjene të njeriut modern homo sapiens janë gjetur në paraardhësit e tij më të lashtë, neandertalë, tha zonja May, duke shtuar se ekzistenca e Nesher Ramlas mund të ketë qenë hallka lidhëse mes këtyre dy popullatave.
Kocka e gjetur u analizua nga katalogët kompiuterikë gjë që vërtetoi se bëhej fjalë për një grupim të njeriut të lashtë të panjohur më parë dhe hedh dritë të re mbi procesin e evolimit të njeriut.
voa