Arrestohet kryebashkiaku i Lushnjes dhe 8 zyrtarë të tjerë

Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, disa zyrtarë të pushtetit vendor dhe bisnesmenë janë arrestuar gjatë ditës së sotme në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Koruupsionit (SPAK).

Të gjithë zyrtarët dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa administratorët e dy kompanive private dyshohen për “Falsifikim të dokumentave”. Përveç kryebashkiakut Tushe, 8 zyrtarët e tjerë nën arrest, janë punonjës së Ndërmarrjes së pasurisë publike, pranë Bashkisë Lushnje. Për katër prej tyre, përfshirë drejtorin e kësaj ndërmarjeje Flamur Peqini, është dhënë masa e “arrestit me burg”, ndërsa për katër të tjerët ajo e “arrestit në shtëpi”.

Të gjithë dyshohet të jenë përfshirë në një skemë të tjetërsimit të fondeve publike, në rastin e një tenderi, me vlerë 24 milion lekë, për rehabilitimin e një ujësjellësi. Me urdhër të prokurorisë janë ushtruar kontrolle në zyrat e Ndërmarrjes së pasurisë publike, por dhe në disa prej banesave të përsonave të arrestuar.

Ndaj arrestimit të kryebashkiakut socialist Fatos Tushe, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. “Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, theksoi kryeministri në një postim në Twitter.

Nga ana e saj ambasadorja amerikane Yuri Kim, shpërndau gjithashtu një postim po në Twitter, ku shkruante se “nëse je i përfhirë në korrupsion – pak rëndësi ka se sa i pushtetshëm mendon se je – tani është koha të marrësh në konsideratë pasojat që veprimet e tua do të kenë mbi familjen dhe vendin tënd. Tani është momenti të vlerësosh nëse ja vlen të shkosh në burg. Tani është momenti të heqësh dorë. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon postimi i ambasadores amerikane.

Hetimet ndaj kryebashkiakut të Lushnjes po vijojnë edhe për dyshimet për korrupsion. Zoti Tushe u vu në qendër të vëmendjes dhe para gati një viti e gjysëm, kur më 31 dhjetor të 2019-ës ai u plagos nga shpërthimi i një granate të hedhur në zyrën e tij, nga ish shoferi i tij.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>