Grafiku i rasteve të infektimit me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara po rritet sërish pas disa muajsh rënieje. Numri i rasteve të reja në ditë po dyfishohet gjatë tre javëve të fundit, të nxitura nga përhapja e shpejtë e variantit delta, nga niveli i ngadaltë i vaksinimit, si dhe nga festimet masive për 4 korrikun.
Rastet e konfirmuara të infektimeve u ngjitën të hënën në një mesatare prej 23’600 në ditë, krahasuar me 11’300 që ishin më 23 qershor, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Të gjitha shtetet amerikane, me përjashtim të Meinit dhe Dakotës së Jugut, raportuan se shifrat janë rritur gjatë dy javëve të fundit.
“Nuk është rastësi që jemi pikërisht në periudhën gjatë së cilës do të prisnim shfaqjen e rasteve gjatë fundjavës së 4 korrikut”, tha Dr. Bill Powderly, drejtues në divizionin për sëmundjet ngjitëse në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Washington në St. Louis.
Në të njëjtën kohë, pjesë të Shteteve të Bashkuara po përballen me një rezistencë të thellë ndaj vaksinës, ndërsa një version tepër ngjitës i koronavirusit, i pikasur fillimisht në Indi, është përgjegjës për një rritje edhe më të madhe të infektimeve.
Në rang vendi, 55.6% e amerikanëve kanë bërë të paktën njërën dozë të vaksinës për COVID-19ën, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Pesë shtetet me kërcimin më të madh dy-javor në rastet për frymë kishin normat më të ulëta të vaksinimit: Misuri, 45.9%; Arkansas, 43%; Nevada, 50.9%; Luiziana, 39.2%; dhe Juta, 49.5%.
Edhe me valën e fundit, rastet e infektimit në Shtetet e Bashkuara nuk janë aspak pranë kulmit të tyre prej një çerek milioni në ditë në muajin janar. Dhe vdekjet po qëndrojnë mesatarisht nën nivelin 260 në ditë, pasi kaluan në mbi 3’400 gjatë dimrit – një dëshmi kjo se me sa efektshmëri mund të parandalojë vaksina sëmundjen e rëndë dhe vdekjen e personave që infektohen.
Megjithatë, për shkak të rritjes, autoritetet e shëndetësisë në vende të tilla si Los Anxhelos dhe St. Louis janë duke iu lutur njerëzve, madje edhe atyre të imunizuar, që të rifillojnë të mbajnë maska në publik. Edhe zyrtarët e Çikagos njoftuan të martën se udhëtarët e pavaksinuar nga Misuri dhe Arkansas duhet ose të karantinohen për 10 ditë ose të rezultojnë negativë nga një test për COVID-19ën.
Ndërkohë, Departamenti i Shëndetësisë në Misisipi, i cili renditet i fundit në shkallë vendi për vaksinimet, filloi të bllokonte postimet rreth COVID-19ës në faqen e tij në Facebook, për shkak të një “rritje të keqinformimit” rreth virusit dhe vaksinës.
Zyrtarët e Misisipit gjithashtu po rekomandojnë që njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike të qëndrojnë larg grumbullimeve të mëdha në mjedise të brendshme për shkak të një rritjeje prej 150% të shtrimeve në spital gjatë tre javëve të fundit.
Por, vullneti politik mund të mos ekzistojë në shumë shtete të lodhur nga muaj të tërë kufizimesh.
Në Miçigan, Guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer po përballet me një përpjekje për të shfuqizuar një ligj që ajo përdori për të vendosur kufizime të mëdha gjatë fazave të hershme të pandemisë.
Dhe guvernatorja republikane e Alabamas, Kay Ivey, iu kundërvu idesë se shteti mund të ketë nevojë të rivendosë masat parandaluese, ndërsa vaksinimet vonohen dhe rriten shtrimet në spital.
“Alabama është e HAPUR për biznes. Vaksinat janë në dispozicion, dhe unë inkurajoj njerëzit që ta marrin. Urdhrat për gjendjen e emergjencës dhe shëndetësinë kanë skaduar. Ne jemi duke ecur përpara”, tha ajo në rrjetet sociale.
Dr. James Lawler, një drejtues i Qendrës Globale për Sigurinë Shëndetësore në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës në Omaha, tha se rikthimi i maskave dhe kufizimi i tubimeve do të ndihmonte. Por, ai pranoi se shumica e vendeve që shohin nivele më të larta të virusit “janë pikërisht zonat e vendit që nuk duan të bëjnë ndonjë nga këto gjëra”.
Zoti Lawler paralajmëroi se ajo që po ndodh në Britani është një shije paraprake e asaj që do të vijë në Shtetet e Bashkuara.
“Përshkrimet nga rajonet e botës ku varianti delta ka zënë vend dhe është bërë virusi mbizotërues, janë me fotografitë e pavionëve të urgjencave plot me 30-vjeçarë. Kjo është ajo që përshkruajnë mjekët e kujdesit intensiv dhe kjo është ajo që po vjen në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Ai shtoi: “Unë mendoj se njerëzit nuk e kanë idenë se çfarë do të na godasë.”
Presidenti Joe Biden po shfrytëzon fuqinë e yjeve për përpjekjet e administratës për të vaksinuar të rinjtë. Aktorja, këngëtarja dhe kantautorja tetëmbëdhjetëvjeçare Olivia Rodrigo do të takohet me Preidentin Biden dhe Dr. Anthony Faucin të mërkurën.
Ndërsa administrata ka pasur sukses në vaksinimin e amerikanëve të moshuar, të rinjtë kanë treguar më pak urgjencë për të bërë vaksinat.
Disa, të paktën, po e dëgjojnë thirrjen në Misuri pas disa javë lutjesh, tha Erik Frederick, shefi administrativ i spitalit Mercy Hospital Springfield. Ai shkruajti në Twitter se numri i njerëzve që imunizohen në klinikën e tyre të vaksinimit është rritur nga 150 në 250 çdo ditë.
“Kjo më jep shpresë”, tha ai.