Nga Struga, Dibra dhe zona e Mavrovës, qindra familje mërgimtarësh kanë mbyllur pushimet dimërore para kohe.Mërgimtarët po braktisin vendlindjen të dëshpëruar nga gjendja e krijuar si pasojë e mungesës së energjisë dhe kaosit nëpër rrugët e papastruara nga bora dhe akulli.
Një atmosferë e tillë është në Strugë, Dibër, Mavrovë dhe zonat e tjera ku ditëve të fundit dhe para afatit të mbylles së pushimit dimëror, qindra familje mërgimtarësh janë larguar të dëshpëruar.
Nazim.M, mërgimtarë në Zvicër theksoi për INA se largohet i dëshpëruar dhe i zhgënjyer për shkak të situates së krijuar, neglizhencës, pakujdesisë dhe organizimit të dobët dhe dështues të institucioneve, ndërmarrjes elektroenergjetike, etj.
“As gjatë viteve 1950-1960 nuk kemi përjetuar të mbetemi 6-7 ditë pa rrymë elektrike, pa ujë, pa rrugë. Kjo që kemi përjetuar këto ditë të festave të fundvitit nuk është shpresëdhënëse për ndonjë pozitivitet dhe prosperitet në të ardhmen. Ajo që na ka shqetësua më së shumti ishte mashtrimi që bënin kompania e rrymës si e quajnë EVN dhe mediumet nacionale, përmes deklarimeve se është stabilizuar gjendja me furnizim me energji elektrike. Apo edhe deklarimet e tjera të ndërmarrjeve se po hapen rrugët, se u stabilizua gjendja me ujin, etj”, theksoi Nazimi.
Sipas tij, kjo situate më dëshpëruese ka qenë për fëmijët e tij që me kënaqësi kishin ardhur për pushime dhe më pas kanë ngelur të dëshpëruar.
Poashtu, edhe rrugët me karakter regjional dhe ato magjistrale, krijojnë vështërsi në lëvizjen e kolonave të gjata të automjeteve pikërisht për shkak të shtresës së borës në rrugë që është shëndërruar në shtresë akulli, në saje të mospastrimit si duhet.
“Jemi dëshmitar të kohës që në vendet ku bie bora nga 2 e më shumë metra, rrugët pastrohen, ndërsa këtu edhe ato 20, apo 30 cm borë shkaktojnë tërësisht bllokadë dhe kolaps total. Këtë gjë në vitin 2015 nuk po mundemi ta kuptojmë?”-u shprehën ata dhe shtuan: “Nëse Qeveria ka mundur me investuar miliona euro për përmendore bronzi në Shkup, është dashur të investojë së paku një million euro për pajisje borëpastruese!”, thekson Haxhi.D.
Disa bashkëatdhetar rikujtuan vitet e mëparshme kur ata vinin gjatë pushimeve dimërore në vendlindje, organizoheshin të ashtuquajturit “Tubime të gurbetqarëve”, me idenë e informimit të qeverisjes, arritjeve në qeverisje të subjeketev të caktuara politike dhe për të detektuar problemet që ka popullata dhe mërgata. Njëkohësisht duke na “ftuar e ofruar” mundësi për investime në vendlindje. Viteve të fundit, partitë politike, as atyre pushtetare e as opozitare, as që u bën përshtypje ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, por vetëm e kërkojnë votën e tyre qoftë në vendlindje qoftë në vendet ku ata jetojnë e punojnë. (Mehmet Latifi/INA)