Ndërsa shfaqen variante të reja dhe më të fuqishme të koronavirusit dhe raportet tregojnë se efikasiteti i disa vaksinave po bie, vendet kryesisht në botën e zhvilluar, po bëhen gati për të siguruar vaksinat përforcuese. Por shumë ekspertë të shëndetit thonë se ato nuk janë ende të nevojshme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat në dispozicion duhet të shkojnë së pari tek të pavaksinuarit në vendet më ardhura të pakta.
Pas shumë thirrjeve për të vënë në dispozicion më shumë vaksina për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi javën e kaluar vendosjen e një moratoriumi mbi vendet e pasura për dhënien e vaksinave përforcuese për qytetarët e tyre.
“Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që vende që tashmë kanë përdorur shumicën e furnizimit global të vaksinave të japin doza përforcuese, ndërsa njerëzit më të cënuar në botë mbeten të pambrojtur”, tha Tedros Adhanom Ghebrezesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
Të mërkurën, Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë pjesën që u takon, por gjithashtu dëshirojnë të jenë të përgatitura në rast se vaksinat përforcuese do të nevojiten më vonë.
“Mendojmë se nuk ka zgjidhje tjetër dhe se ne, mund t’i bëjmë të dyja. Ne njoftuam se arritëm objektivin e dhurimit të mbi 110 milionë vaksinave në botë. Kjo është më shumë se kanë dhuruar vendet e tjera të marra së bashku. Ne gjithashtu filluam të dhurojmë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer që kemi blerë”, tha sekretarja Psaki.
Kina u zotua gjithashtu të japë 2 miliardë doza vaksinash për vendet e tjera këtë vit, duke premtuar se do të dhurojë 100 milionë dollarë për COVAX-in, programin e OBSH-së që synon shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Kjo vjen pasi Izraeli u bë vendi i parë që filloi të ofrojë një javë më parë një vaksinë përforcuese të Pfizer-it për qytetarët e moshuar. Vende të tjera përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë thonë se do të fillojnë të administrojnë vaksina përforcuese në shtator. Ekspertët e shëndetit japin vlerësimet e tyre për Zërin e Amerikës.
“Besoj se moratoriumi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkon të zvogëlojë vonesat që do të sillte një vaksinë përforcuese në SHBA dhe në Evropë tek furnizimi i përgjithshëm në mbarë botën me vaksina dhe mendoj se është një përpjekje shumë e rëndësishme për të krijuar vërtet barazi”, thotë Jessica Holzer në universitetin New Haven.
“Natyrisht, ka shumë njerëz në të gjithë botën që ende nuk kanë marrë dozën e tyre të parë dhe kjo është ajo ku duhet të përqëndrohet vëmendja tani // para se të fillojmë të rrisim mbrojtjen e njerëzve të vaksinuar”, thotë William Schaffner me qendrën mjekësore të universitetit Vanderbilt.
“Duhet të kujtojmë se kjo nuk është një pandemi vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër pandemi për Afrikën. Kjo është një pandemi globale. Dozat përforcuese po bëhen të nevojshëm së pari për shkak të kohëzgjatjes së virusit, që do të thotë se ne nuk po vaksinojmë njerëz aq shpejt sa të zvogëlojmë rrezikun e infeksioneve në të gjithë botën, dhe, së dyti, për shkak të varianteve të reja që po shfaqen”, thotë Krishna Udayakumar me qendrën shëndetësore globale Duke.
Muajin e kaluar, kompani Pfizer kërkoi autorizimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për një dozë përforcuese të vaksinës së saj COVID-19 sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo u bazua në provat që treguan një rënie të efikasitetit të vaksinës pas gjashtë muajsh, si dhe ulje të mbrojtjes kundër variantit delta.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se rënia e efikasitetit ndjek një trajektore. Kjo nuk do të thotë se efektiviteti i Pfizer-it, që është kompania e parë që doli dhe sugjeroi një dozë përforcues, shkon nga 95% kundër variantit alfa zbret aq sa të mos jesh më i mbrojtur kundër variantit delta”, thotë për Zërin e Amerikës Jessica Holzer me universitetin New Haven.
Zoti Schaffner thotë se është i lumtur që ka një vaksinë përforcuese gati për t’u miratuar për përdorim, por duket se kjo nuk është ende e nevojshme.
“Varianti delta tani përbën mbi 90% të rasteve në Shtetet e Bashkuara dhe megjithëse kemi pasur një rritje të shtrimeve në spitale, ato janë pothuajse të gjitha tek personat e pavaksinuar. Pra, kjo do të thotë se vaksinat po funksiojnë edhe ndaj variantit delta; ato po i mbajnë njerëzit e vaksinuar larg spitaleve dhe natyrisht ky ishte qëllimi kryesor i vaksinës”, thotë për Zërin e Amerikës William Schaffner.
Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes nevojave të menjëhershme kundrejt atyre afatmesme dhe afatgjata, thotë Krishna Udayakumar.
“Në planin afatgjatë, ne duhet të rrisim ndjeshëm kapacitetin prodhues të vaksinave dhe janë bërë shumë investime. Tani po fillojmë të shohim investime në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, përfshirë Indinë, Afrikën e Jugut dhe Senegalin”.
Të enjten, Moderna tha se vaksina e saj vazhdon të jetë 93% e efektshme gjashtë muaj pas dozës së dytë. Kompania tha gjithashtu se beson se një dozë përforcuese do të jetë e nevojshme para dimrit. Ndërkohë, dozat përforcuese mund të luajnë rol për një grup të veçantë njerëzish, thotë zoti Schaffner.
“Një nga grupet për të cilët jemi të shqetësuar këtu në Shtetet e Bashkuara-dhe mendoj gjithashtu në Evropë dhe në mbarë botën-janë njerëz që kanë sistem imunitar të komprometuar. Pyetja është a mund të përfitojnë këta njerëz nga një dozë e tretë? Dhe kjo mund të jetë gjë e mirë. Madje mund ta mendoni jo aq shumë si një doze përforcuese, por në fakt një vaksinim me tre doza”, thotë William Schaffner për Zërin e Amerikës.
Pyetur nga Zëri i Amerikës, Shtëpia e Bardhë tha të premten se shkencëtarët e administratës po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë nëse do të rekomandojnë një dozë përforcuese për individët me imunitet të dëmtuar.
voa