Zjarret në Turqi: “U deshën vetëm pak minuta”

Türkei | Brände in der TürkeiZjarret e furishme në pyjet e Turqisë jugore kanë shkaktuar dëme të mëdha, shumë njerëz kanë humbur jetën e po ashtu shumë të tjerë kanë humbur shtëpitë dhe pasuritë. Gazetari i DW, Serkan Ocak, raporton nga rajoni.

Muhtar Cansiz është kryeplaku i Kalemler, fshat me 250 banorë në provincën e Antalias, pranë qytetit Manavgat. Rajoni mban barrën më të madhe të shkatërrimit të shkaktuar nga zjarret e përhapura me shpejtësi, që kanë dëmtuar jugun e vendit për gati dy javë mes nxehtësisë përvëluese, lagështisë së ulët dhe erërave të forta që ndryshojnë vazhdimisht.

“Më parë këtu gjendeshin 150 (njëqind e pesëdhjetë shtëpi). Pasi flakët arritën në fshatin tonë, 67 prej tyre u dogjën,” thotë Muhtar Cansiz.

Dukshëm i mërzitur, Cansiz tregon se sa shpejt u përfshi nga zjarri fshati i tij. “U deshën vetëm disa minuta që shtëpi të shumta të merrnin flakë. Ishte e kotë përpjekja për të ndërhyrë. Shtëpitë, ullishtat, kafshët dhe traktorët u shndërruan në hi brenda një kohe të shkurtër.” Një çift gjermano-turk nuk mundi të shpëtonte. Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre të shkrumbuar.

Zjarret, të cilët shpërthyen në më shumë se 100 vende në jug të Turqisë, u kanë marrë jetën të paktën nëntë personave. Shumica e flakëve janë vënë gradualisht nën kontroll, por në rreth një duzinë vendesh, veçanërisht në provincat Mugla, Aydin dhe Isparta, ato vazhdojnë të kërcënojnë popullsinë.

Kryefamiljarët qëndruan aty

Intensiteti i zjarreve të furishëm i kapi krejtësisht në befasi. Shumë fshatra u evakuuan dhe banorët që qëndruan aty ishin shpesh të pafuqishëm përballë flakëve. Shpesh kryefamiljarët i dërgonin prindërit, gratë dhe fëmijët tek të afërmit e tyre. Ata vetë qëndruan në fshat, duke u përpjekur për të shpëtuar pasuritë e tyre nga flakët dhe duke rrezikuar jetën e tyre në këtë proces.

Njëri prej tyre ishte Mehmet Uysal. Fytyra, krahët dhe këmbët e tij kanë gjurmë djegieje. Ai u lëndua ndërsa përpiqej të shpëtonte kafshët e tij. Por Uysal ishte në gjendje të shpëtonte nga flakët vetëm dy të tretat e 150 bagëtive të tij; ishte tepër vonë për delet, qengjat dhe qenin e tij. Fermeri megjithatë mbetet luftarak. “Unë u dogja. Nëse flakët rikthehen, unë do të digjem përsëri me kënaqësi” thotë ai.

“S’kam parë kurrë më parë një zjarr të tillë”

Rajoni malor i Milas në krahinën Mugla të Egjeut është djegur gjithashtu nga zjarret në pyje. Bozalan, një pylltar 37-vjeçar në Milas, shikon drejt një kodre ku mund të shihen ullinj të karbonizuar. Me lot në sy, ai bie në gjunjë. “Unë nuk kam parë kurrë një zjarr të tillë në tërë jetën time,” thotë ai me zë të ulët.

Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshat. Pati gjithashtu frikë nga shpërthimet dhe çlirimi i gazrave toksikë, kur zjarri kërcënoi të përfshinte termocentralin e thëngjillit Kemerkoy, pranë Milas. Në atë rast, uzina nuk u dëmtua në mënyrë të pariparueshme dhe zyrtarët thanë se nuk u çliruan substanca të dëmshme.

Rritet zemërata ndaj reagimit të qeverisë

Qoftë në Kalemler, Oren apo Milas, zjarret i kanë dëmtuar banorët në mënyra të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme. Por ajo që i bashkon ata, është një zemërim në rritje ndaj qeverisë, të cilën e fajësojnë se nuk po përgjigjet aq shpejt ndaj shuarjes së zjarreve.

Shumë thonë se qeveria i nxorri shumë vonë në terren aeroplanët e ujit për të shuar flakët. Disa dyshojnë gjithashtu se zjarret janë ndezur qëllimisht, edhe pse ende nuk ka prova për zjarrvënie.

Pavarësisht humbjeve dhe vuajtjeve marramendëse, ka një shkëndijë shprese në fshatrat e prekura – zjarri u shua të premten e kaluar. Sidoqoftë, një rikthim i erërave të forta të Egjeut mund të rindezë flakët dhe të çojë në shkatërrim të mëtejshëm.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>