Talibanët u kthyen – çka tash?

Luftëtarët talibanë në dhomën e presidentit afgan, Ashraf Ghani, 15 gusht 2021.Luftëtarët talibanë në dhomën e presidentit afgan, Ashraf Ghani, 15 gusht 2021.

Situata në kryeqytetin afgan, Kabul po ndryshon shpejt teksa talibanët kanë hyrë në qytet dhe kanë marrë kontrollin e shumicës së qytetit, përfshirë edhe të Pallatit presidencial. E gjithë kjo ndodhi derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti dhe forcat e sigurisë në qytet u larguan.

Edhe pse shumëçka nuk dihet, janë disa pyetje kyçe për shtetin e shkatërruar nga lufta teksa grupi militant islamik merr kontrollin e të gjithë shtetit.

Çfarë ndodhi me Qeverinë afgane të zgjedhur në mënyrë demokratike?

Qeveria në Kabul, që njihej ndërkombëtarisht, gjerësisht ka kolapsuar.

Presidenti Ashraf Ghani u largua nga Afganistani më 15 gusht, efektivisht duke ua dhënë pushtetin talibanëve, teksa luftëtarët rrethuan Kabulin dhe më vonë hynë në qytet. Ai arriti në Taxhikistan dhe raportohet se ka udhëtuar menjëherë në një shtet të tretë.

Anëtarët kyçë të administratës së Ghanit – përfshirë zëvendëspresidentin e parë, Amrullah Saleh, një kritik i ashpër i talibanëve; Këshilltarin për siguri kombëtare, Hamdullah Mohib; dhe Fazel Fazly, kreun e zyrës administrative të presidentit – gjithashtu janë larguar nga shteti.

Disa zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë edhe ministra të kabinetit qeverisës, vazhdojnë të jenë në qytet.

Kush po udhëheq tani?

Forcat e sigurisë afgane duket se pjesërisht kanë nën kontroll qytetin, por mbrëmjen e 15 gushtit u raportua se talibanët me shpejtësi po e marrin kontrollin e kryeqytetit.

Pasi fillimisht u zotuan se nuk do të hynin në qytet, talibanët thanë se kanë dërguar luftëtarët në “disa zona” të qytetit, për siç thanë, mbajtur rendin, për shkak të pretendimeve se mund të ketë plaçkitje.

Ka pasur raportime për të shtëna sporadike në qytet, por duket se nuk ka pasur ndonjë luftim të madh.

Disa ushtarë afganë dhe zyrtarë policorë janë parë duke u larguar nga postet e tyre, duke hequr uniformat dhe duke ikur, pa dorëzuar armët.

Komandantët talibanë shpejt morën kontrollin e të gjitha ndërtesave qeveritare dhe ata janë parë brenda Pallatit presidencial, që gjendet në qendër të Kabulit. Ata janë parë duke hequr flamurin afgan, që si duket ishte i vendosur në zyrën e Ghanit.

Aeroporti ndërkombëtar i Kabulit ende kontrollohet nga disa mijëra forca amerikane, që po mbajnë të sigurta fluturimet për evakuimin e diplomatëve të huaj, qytetarëve të huaj dhe afganëve që kanë punuar me entitetet e huaja.

Omar Samad, ish-diplomat afgan në Evropë tha se “ka njësi të sigurisë gjithandej, por nuk ka komandant të përgjithshëm pasi kreu i shtetit u largua nga vendi”.

Hamid Karzai, ish-presidenti afgan, më 15 gusht ka njoftuar për krijimin e “këshillit koordinues”. Ai tha se ky trup do të mbikëqyrte transferimin paqësor të pushtetit.

Në këtë këshill, përveç Karzait bën pjesë edhe Abdullah Abdullah, që është zyrtari i dytë më i lartë i Qeverisë në Kabul dhe Hekmatyar Gulbuddin, një prej ish-komandantëve më famëkeq afganë dhe ish-lider i militantëve.

“Duket se ky këshill është përgjegjës”, tha Ali Adili, hulumtues në Rrjetin e Analizave të Afganistanit, një organizatë e pavarur në Kabul.

“Por, është e paqartë se kush e ka autorizuar këtë këshill”, shtoi ai. “Formimi i këshillit ende nuk e ka siguruar popullin e Kabulit”.

U bë edhe më e paqartë nëse këshilli do të formohej teksa talibanët nisën të hynin në Kabul më 15 gusht.

Çfarë qeverie pritet të formohet?

Ministri i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Sattar Mirzakawal tha se pushteti do të dorëzohej te një administratë kalimtare.

Por, talibanët duket se kanë refuzuar këto pretendime, duke insistuar se grupi pret që ta marrë pushtetin e plotë.

“Kam frikë se talibanët do ta marrin pushtetin direkt ose do të kenë një qeveri të përkohshme, që praktikisht do të udhëhiqet nga ta”, tha Haroun Rahimi, profesor në Universitetin amerikan të Afganistanit në Kabul.

“Në atë rast, sistemi i ardhshëm politik ka pak gjasa të jetë gjithëpërfshirës duke bërë që shumë afganë ta perceptojnë atë si të imponuar dhe jolegjitim”, shtoi ai.

Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni nuk do ta njohë një qeveri të talibanëve nëse grupi militant merr pushtetin me forcë.

Talibanët më herët kanë thënë se preferojnë një qeveri kalimtare, nëse Ghani jep dorëheqje. Por, është e paqartë nëse ata do të vazhdojnë ta mbajnë premtimin për formimin e qeverisë kalimtare.

“Tani që Ghani është larguar, ne do ta dimë nesër ose pas dy ditësh nëse do të ketë sistem me bazë të gjerë apo sistem njëpartiak, edhe pse shenjat tregojnë se do të ketë një periudhë me qeverisje kalimtare, që do të jetë më përfshirëse”, tha Samad.

Torek Farhadi, ish-këshilltar i Qeverisë afgane, tha se nëse do të ketë një periudhë kalimtare të qeverisjes, që do të jetë më gjithëpërfshirëse, talibanët me gjasë do ta dominojnë atë, por sipas tij, mund të ketë hapësirë edhe për aktorë të tjerë politikë, edhe pse ai pret që personalitete më pak të njohur dhe hisedarë, në vend të figurave aktuale të elitës politike në Kabul, të jenë pjesë e kësaj qeverie.

“Talibanët me gjasë do të formojnë një qeveri sipas dëshirës së tyre, me përfaqësues nga të gjitha provincat dhe grupet etnike, por jo domosdoshmërish ata do të jenë figura politike që ne i njohim”, tha Farhadi.

Po në periudhë më afatgjatë?

Qeveria e dominuar nga talibanët në Kabul ka gjasa që të formohet, thonë analistët.

Gjatë udhëheqjes së talibanëve, pushteti ishte i centralizuar në duart e “Amir ul-Momineen” ose liderit të besimtarëve. Lideri suprem ishte kreu i shtetit dhe kishte autoritet të plotë. Ai ishte Mullah Omari, lideri shpirtëror i talibanëve dhe themeluesi i këtij grupi.

Talibanët kanë refuzuar demokracinë dhe zgjedhjet, duke i cilësuar këto procese si “importe të huaja”.

Është ende e paqartë nëse talibanët do të rivendosin regjimin brutal, që kishin në të kaluarën.

Kur kanë udhëhequr nga Afganistanin nga 1996 deri më 2001, fundamentalistët islamikë shtypën gratë, masakruan minoritetet etnike dhe fetare dhe ndaluan muzikën dhe televizionin.

Indikacionet e para sugjerojnë se militantët do të rivendosin shumicën e ligjeve shtypëse dhe të kthejnë mbrapsht politikat e Kabulit – siç kanë bërë edhe në qytetet e tjera që kanë marrë nën kontroll në mbarë Afganistanin.

Grupi ekstremist kishin ndaluar gratë që të punojnë jashtë shtëpive të tyre, kishin kufizuar edukimin e vajzave dhe nuk lejonin që gratë të dalin nga shtëpia pa u shoqëruar nga një anëtar mashkull i familjes. Ka pasur disa raportime se gratë e reja janë detyruar që të martohen me luftëtarët talibanë.

Përkundër gjithë këtyre, militantët kanë tentuar që të portretizojnë se janë më të moderuar, duke premtuar se do të respektojnë të drejtat e grave dhe do të mbrojnë të huajt dhe afganët.

“Ne i sigurojmë njerëzit, veçanërisht në qytetin e Kabulit, se pronat e tyre dhe jeta e tyre janë të sigurta”, tha më 15 gusht, zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen.

Me çka mund ta kushtëzojnë fuqitë e huaja një qeveri të talibanëve që të sigurohen se militantët respektojnë të drejtat e njeriut?

Fuqitë perëndimore më herët janë zotuar se do të jenë të angazhuara në Afganistan edhe pasi të gjitha trupat ndërkombëtare do të largohen më 31 gusht.

“Është thelbësore, siç kemi premtuar, që komuniteti ndërkombëtar të mos largohet dhe të braktisë Afganistanin siç ka ndodhur nga viti 1989 deri më 2001”, tha Samad.

“Po ashtu, është imperative që talibanët të sillen në atë mënyrë që të kenë vëmendjen dhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht sa u përket politikave të tyre për të drejtat e njeriut dhe të drejtat gjinore dhe liritë themelore, siç është liria e shprehjes”, shtoi ai.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të huaja mund të ndikojnë në sjelljen e talibanëve, duke iu ofruar ndihmë ndërkombëtare për vendin e varfër, por edhe duke e njohur këtë grup.

Vëzhguesit thonë se Uashingtoni po vë bast që talibanët do të ngurojnë të sundojnë si një parti ndërkombëtare, siç bën në vitet e 90-ta.

Por, është e paqartë nëse legjitimiteti ndërkombëtar është ende i rëndësishëm për talibanët, marrë parasysh se ata kanë marrë pothuajse tërë territorin e Afganistanit. Deri më 15 gusht, ky grup ka kontrollin e 27 prej 34 provincave afgane.

“Nëse talibanët tregojnë se nuk janë të interesuar që të fitojnë legjimitetin e brendshëm përmes një qeverive gjithëpërfshirëse, atëherë legjitimiteti ndërkombëtar mund të jetë një prej burimeve që mund të përdoren për t’i kushtëzuar ata”, tha Rahimi.

rel

lexo edhe kete

Kush janë talibanët dhe si veprojnë ata?

Pasi grupi militant i talibanëve ka marrë kontrollin e më shumë se gjysmës së qarqeve në Afganistan, premtimet e bëra nga negociatorët talibanë në bisedimet e paqes në Doha të Katarit duket se po bien në ujë. Në kuadër të marrëveshjes së paqes së shkurtit të vitit 2020 me Shtetet e Bashkuar, lëvizja e ashtuquajtur Komisioni i Çështjeve Politike ishte zotuar se do të respektonin të drejtat e njeriut dhe se do nuk do të lejonin luftëtarë të huaj në territorin që kontrollojnë.

Në raportimet e Shërbimit të Afganistanit dhe Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë përgenjështrohen pretendimet e talibanëve se nuk ka luftëtarë të huaj në Afganistan. Mijëra luftëtarë të huaj, kryesisht pakistanezë, luftojnë nën flamurin e talibanëve.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch bëri të ditur se talibanët të cilët kanë shtrirë kontrollin në Ghazni, Kandahar dhe provinca tjera, i kanë ndaluar dhe ekzekutuar ushtarët, policët dhe civilët për lidhje të dyshuara me Qeverinë afgane.

Këto raporte ngrenë dyshimet se sa ka ndikim – nëse ka- zyra politike e talibanëve në Doha të Katarit mbi komandantët që ndodhen në fushën e betejës dhe guvernatorët “në hije”, të cilët janë emëruar nga udhëheqësit talibanë në territoret që ata kontrollojnë.

“Më së paku tani dimë për pyetjen më të rëndësishme në lidhje me komandën dhe kontrollin e talibanëve, dhe ajo ka të bëjë me talibanët në Doha që po negociojnë me qeverinë afgane. Në çfarë shkalle ata kontrollojnë luftimet në terren”, tha analisti afgan i sigurisë Ted Callahan.

Udhëheqja dhe kontrolli

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur zëdhënësin e talibanëve, Zabiullah Mujahid, lidhur me strukturën komanduese të grupit militant.

Në përshkrimin që bën ai, Komisioni i Çështjeve Politike në Doha nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi luftëtarët që kanë kapur zona të mëdha territori muajt e fundit.

Përmes një përgjigjeje me email, Mujahid tha se zyra politike në Doha është vetëm një nga disa komisionet dhe zyrat që shërbejnë si një lloj kabineti ministrash nën udhëheqjen e liderit suprem të talibanëve, Malavi Hibatullah Akhundzada.

Sipas tij, mbikqyrjen e zingjirit komandues ushtarak të lëvizjes deri në nivel të krahinave dhe të qarqeve e bën një degë e veçantë në strukturën udhëheqëse të talibanëve i quajtur Komisioni për Çështjet Ushtarake.

Lideri Suprem, Akhundzada, sipas zëdhënësit, është “autoriteti përfundimtar” i talibanëve në çështjet fetare, politike dhe ushtarake dhe se ai ka tre zëvëndës të tjerë nën komandën e tij.

Zëvëndësi për Çështje Politike, Mulla Abdul Ghani Baradar kryeson Komisionin e Çështjeve Politike dhe udhëheq ekipin negociator të talibanëve në Doha.

Zëvëndësi tjetër për provincat jugore, Mullah Mohammad Yaqoob, është djali i themeluesit të ndjerë të talibanëve, Mullah Mohammad Omar.

Ai gjithashtu drejton operacionet ushtarake të talibanëve.

Ndërsa, Sirajuddin Haqqani, zëvëndësi i tretë i liderit suprem të talibanëve është gjithashtu kreu i të ashtuquajturit rrjeti Haqqani.

Zëdhënësi Mujahid shtoi se kontrolli i zinxhirit komandues ushtarak të talibanëve bie nën Komisionin e Çështjeve Ushtarake, i cili dominohet nga Yaqoob dhe Haqqani, dy zëvëndësit e liderit suprem.

Duke filluar në nivel të distrikteve, secili komandant në fushën e bejetës i përgjigjet një komande në nivel province.

Mujahid i tha REL-it se janë shtatë “qarqe” rajonale dhe secila prej tyre është përgjegjëse për së paku tri komanda në nivel provincash. Mbikqyrja e këtyre shtatë “qarqeve” rajonale bëhet nga ana e dy zëvëndësdrejtuesve të Komisionit të Çështjeve Ushtarake.

Njëri është përgjegjës për 21 provinca në të ashtuquajturën “zonë perëndimore” të talibanëve. Tjetri mbikëqyr komandën e 13 provincave në “zonën lindore”.

Komisioni për Çështjet Ushtarake i talibanëve është përgjegjës gjithashtu për emërimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë “guvernatorëve” në nivel krahinor dhe të disktrikteve në kuadër të qeverisë në hije të talibanëve.

Analistët thonë se për shkak të nevojës së paraqitur, që nga viti 2001 struktura udhëheqëse e talibanëve ka evoluar nga një organizatë e komandantëve të milicisë lokale në një lëvizje më të organizuar politike dhe ushtarake.

Ndryshimet kryesore në udhëheqje pasuan mosmarrëveshjet që shkaktuan ndarje të talibanëve në fraksione rivale, pas vdekjes së themeluesit të talibanëve, Mullah Omar, në vitin 2013.

Në fakt, ato ndarje janë vazhdimësi e një lufte të gjatë për pushtet, të bazuar në strukturat fisnore të komunitetit Pashtun.

Njëra palë mbështeti djalin e Omarit si udhëheqësin e ardhshëm suprem të talibanëve me mbështetës në Afganistanin perëndimor dhe jugor.

Ai gjithashtu udhëhoqi strukturën më të lartë këshilluese dhe vendimmarrëse të talibanëve, e quajtur Rahbari Shura që njihet gjerësisht si Queta Shura.

Në anën tjetër, në Afganistanin lindor dhe Pakistan janë komandantët talibanë të lidhur me rrjetin Haqqani. Rrjeti ka lidhje të fuqishme me këshillat udhëheqës konsultativë të njohur si Peshavar Shura në Pakistanin veriperëndimor dhe Miran Shah Shura në rajonin fisnor pakistanez të Veriut të Pakistanit.

Pas vdekjes së Mullah Omar, talibanët e konsoliduan strukturën komanduese për të zbutur ndarjet, thuhej në një studim të vitit 2019 nga Instituti Amerikan për Paqe (USIP).

Studimi thoshte se përmes krijimit të një lëvizjeje më të unifikuar ushtarake dhe politike, talibanët ishin në gjendje të “vendosnin nën kontroll dhe të qeverisin pjesë më të mëdha të territorit”.

Për këtë qëllim, ata krijuar sistemin e qeverisjes në hije, një levizje që u mundësoi komandantëve ushtarakë, nga fraksione të ndryshme, të emëronin “zyrtarë” të qeverisë në hije në territorin që kontrollonin. Megjithatë, qeverisja në hije e talibanëve ka qenë “jo e unifikuar”, konkludoi studimi i USIP.

Vendimet dhe rregullat e kësaj strukture ishin të ndryshme “të formësuara nga dëshirat e komandantëve, traditat lokale dhe fuqia e talibanëve në komunitet”. Studimi thoshte se “faktorë të shumtë, nga udhëheqja talibane dhe deri tek komandantët lokalë, kanë luajtur një rol kyç në krijimin dhe formimin e politikës së lëvizjes në Afganistan”.

“Politikëbërja talibane ka qenë nga lart-poshtë po aq sa ka qenë nga poshtë-lart. Rregullat janë vendosur nga udhëheqja po aq sa nga luftëtarët dhe komandantët në terren”, thuhej në studim.

Sipas analistit Callahan, nëse do talibanët do të jenë në gjendje në të ardhmen të ruajnë strukturën aktuale të komandës dhe kontrollit, është një çështje që ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e Afganistanit.

Talibanët sot

“Nëse dëshironi ta bëni një përkufizim atëherë është shumë e thjeshtë: në thelb talibanët tani janë afganët e pakënaqur”, tha analisti Callahan për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në këtë vend ka edhe mijëra luftëtarë talibanë jo-afganë.

“Nuk është më një lëvizje etno-nacionaliste pashtune. Është shumë më e diversifikuar se në vitet 1990”, thotë ai. Në premtimet e talibanëve të bëra në Doha për respektim të të drejtave të njeriut dhe mbajtjen jasht të luftëtarëve të huaj nuk beson Bill Roggio, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, me seli në SHBA.

Roggio, tha se talibanët e sotëm duket se ende po përpiqen të krijojnë një Emirat Islamik të Afganistanit dhe të imponojnë versionin e tyre të rreptë të ligjit islamik tek populli afgan. Por, ai gjithashtu sheh dallime të rëndësishme midis talibanëve të sotëm dhe regjimit islamik që kontrollonte pjesën më të madhe të Afganistanit gjatë fundit të viteve 1990.

“Është e dominuar nga afganët. Por, kjo pyetje është pak e ndërlikuar për shkak të grupeve si rrjeti Haqqani që janë të vendosur në Pakistan dhe Afganistan”, tha ai.

“Ekziston një numër i madh uzbekësh dhe taxhikësh etnikë, madje edhe turkmenë dhe, në disa raste, edhe Hazarë etnikë që janë afganë dhe që sot janë pjesë e talibanëve”, tha Roggio.

“Talibanët kanë depërtuar thellë në këto komunitete në vitet e fundit. Ky është një ndryshim i madh midis talebanëve sot dhe talebanëve para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kundër Shteteve të Bashkuara”, shton analisti. Megjithatë, sipas tij, në mesin e mijëra luftëtarëve të huaj që luftojnë për talibanët janë edhe ata nga Lindja e Mesme që janë pjesë e Al-Kaidës, si dhe militantë nga Pakistani dhe Azia Qendrore.

Sipas një raporti të Grupit Monitorues dhe të Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) nga rreth 85.000 luftëtarë talibanë aktivë në Afganistan, rreth 10.000 mendohet të jenë militantë të huaj.

Raporti thotë se rreth 6.500 prej tyre janë shtetas pakistanezë. Të tjerët, vijnë nga Azia Qendrore, Çeçenia ose nga celulat e mbetura të Al-Kaidës në Lindjen e Mesme.

“Aspekti kryesor për përballjen me Al-Kaidën nga ana e talibanëve është rrjeti Haqani. Lidhjet mes dy grupeve janë shumë të afërta, të bazuara në ideologjinë e përbashkët, raportet e krijuara në luftë dhe martesat e brendshme”, thotë ekipi monitorues i OKB-së.

Në një hulumtim të Shërbimit të Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë raportohet se talibanët kanë vendosur komandantin e militantëve nga Taxhikistani në udhëheqje të pesë qarqeve të marra nën kontroll së fundi përgjatë kufirit me Taxhikistanin.

Komandanti 25-vjeçar, i njohur si Mahdi Arsalon, ka lindur në fshatin Sherbegiyon në Luginën Rasht të Taxhikistanit. Në Afganistan, Arsalon dhe militantët e tij njihen si “talibanët taxhikë”.

Në fakt, ata janë pjesëtarë të grupit Jamaat Ansarullah, të cilin e themeloi një dekadë më parë një ish -komandant opozitar i Taxhikistanit me qëllimin që të përmbysë qeverinë në Dushanbe. Taxhikistani e ka shpallur si terrorist këtë grup.

Së fundi korrespodentët e Radios Evropa e Lirë nga veriperëndimi i Afganistanit raportuan për praninë e militantëve nga Uzbekistani të lidhur me Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit (IMU).

Guvernatori i Provincës Badghis, Hossamuddin Shams, i tha Radios Evropa e Lirë se militantët nga Uzbekistani kanë menaxhuar luftën e talibanëve në pjesët veriore dhe perëndimore të vendit. Sipas tij, familjet e 80 militantëve uzbekë arritën nga Pakistani në provincën Badghis më 2018 dhe tani janë të vendosur në rrethin Bala Murghab.

Ai tha se shumica e këtyre luftëtarëve talibanë Uzbekistë janë fëmijë të militantëve të IMU të cilët ikën në Pakistan në fund të 2001 pasi një vit më parë kishin ndihmuan talebanët të luftonin kundër Aleancës Veriore anti-talibane në Provincën Takhar.

Vendet fqinje të Afganistanit shprehen të shqetësuara me mundësinë që luftëtarët talibanë të kthehen në vendet e tyre për të nisur kryengritjet.

Callahan, një ish -këshilltar i forcave speciale amerikane në Afganistanin verior, tha se “qartazi” është i pavërtetë pretendimi i talibanëve se nuk ka luftëtarë të huaj në radhët e grupit.

“Mbase, ata po i përdorin këta luftëtarë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore për të administruar të gjitha zonat ku e kanë vendosur kontrollin”, tha Callahan për Radion Evropa e Lirë.

“Ekzistojnë raporte se në muajt e fundit, në veri, luftëtarët e huaj janë përfshirë në luftime sepse, në shumë raste, kishte mungesë të luftëtarëve afganë dhe pakistanezë”, shpjegoi ai.

Sipas analistit, Kina në anën tjetër është e shqetësuar se talibanët kanë përfshirë në rradhët e veta edhe militantë ujgurë etnikë nga pjesa perëndimore e Kinës. Pavarësisht të dhënave, sipas tij, talibanët do të vazhdojnë të kundërshtojnë akuzat për prezencën e të huajve në rradhët e tyre.

“Potencialisht ekziston mundësia e një roli të Kinës në Afganistan në të ardhmen. Pekini mbase po kalkulon se kush do të ketë pushtetin në të ardhmen, talibanët apo Qeveria afgane. Ata duket se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të dyja palët”, thotë ai, duke shtuar se bashkëpunimi i luftëtarëve të huaj ujgurë me talibanët megjithatë kërcënon raportet e grupit militant me Kinën në të ardhmen.

Fuqia e talibanëve karshi forcave të sigurisë afgane

Po të shikosh shifrat në letër, talibanët nuk posedojnë resurse njerëzore dhe teknologjike sikuse Forcat e Sigurisë Kombëtare të Afganistanit.

Por, analistët thonë se, siç ndodhë me shumë gjëra në Afganistan, ajo që shihet në letër nuk përkon me gjendjen në terren.

Forcat e sigurisë afgane, përfshirë trupat nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe policisë në Ministrinë e Brendshme, kanë të paktën tre herë më shumë forca sesa numri i vlerësuar i luftëtarëve aktivë talibanë.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) tha në një raport dërguar Kongresit se janë rreth 307.000 forca të përgjithshme të sigurisë kombëtare afgane. Në këtë shifër përfshihet ushtria, forcat speciale, forcat ajrore, policia dhe oficerët e inteligjencës.

Eksperti i sigurisë në Instutin Hulumtues CAN me bazë në Arlington të SHBA-së, Jonathan Schroden, vlerëson se qeveria afgane ka rreth 180.000 trupa luftarake në dispozicion.

Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar mirë Afganistanin me armatim. Llogaritet se që nga rënia e regjimit taliban në fund të vitit 2001, SHBA-ja ka shpenzuar rreth 83 miliardë dollarë për të ndihmuar në pajisjen, trajnimin dhe mbështetjen e forcave të sigurisë afgane. Ushtria afgane është pajisur, ndër të tjera, me automjete të blinduara, aeroplanë dhe helikopterë sulmues, artileri, dhe dronë vëzhgues.

Sipas SIGAR ushtria afgane posedon një flotë prej 167 avionësh, përfshirë helikopterët e saj sulmues. Por, armatimi që i është dhënë këtij vendi gjatë dy dekadave, dhe ai që posedon aktualisht, janë dy gjëra të ndryshme.

Të dhënat e plota për armatimin e forcave afgane janë të klasifikuara. Ka të dhëna se shumë nga armët që i janë dhënë qeverisë afgane dhe milicive pro-qeveritare ose nuk funksionojnë, ose kanë rënë në duart e talibanëve. Roggio dhe Callahan pajtohen me vlerësimin se talibanët burimin kryesor të furnizimit me armatim e kanë brenda vetë Afganistanit.

Ata thonë ky furnizim përfshin edhe armë dhe pajisje të prodhuara nga Perëndimi, me të cilat është furnizuar ushtria afgane.

Talibanët ndër vite kanë përdorur raketat e vogla, sulmuesit vetëvrasës dhe pajisjet shpërthyese të improvizuara si mjete sulmi. Ekspertët thonë se tregu i zi rajonal i shiblerjes së armëve është gjithashtu një burim i furnizimit të talibanëve me armë.

Kimikatet për plehrat që vijnë nga Pakistani dihet se janë përdorur gjerësisht nga talibanët për të bërë mjete shpërthyese në Afganistanin jugor dhe lindor.

Por, zyrtarët në Rusi, Pakistan dhe Iran mohojnë akuzat e Kabulit dhe ushtrisë amerikane se ata kanë furnizuar fshehurazi talibanët e Afganistanit me armë dhe logjistikë tjetër.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>