Hapet procesi i parë gjyqësor në Gjykatën e Posaçme të Kosovës

Të mërkurën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Sipas akuzës që është ngritur në qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në shtator të vitit të kaluar, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.

Zoti Mustafa ritheksoi sot se ndjehet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tij.

“Po saktë, nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që m’i ngarkon kjo zyra e Gestapos”, tha të mërkurën ai.

Zoti Mustafa u arrestua në shtator të vitit 2020 dhe ishte personi i parë i arrestuar në bazë të akuzave të Prokurorisë së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar u arrestuan edhe ish-zyrtarët e lartë të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Që të katër akuzohen për veprat; ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas akuzës dyshohet të jenë kryer në periudhën ndërmjet muajit mars të vitit 1998 dhe muajit shtator të vitit 1999.

Sipas akuzës krimet dyshohet se janë kryer në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kritikët thonë se gjykata kërcënon të kriminalizojë luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Prokuroria tha të mërkurën se proceset nuk janë të drejtuara kundër Kosovës, por individët.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>