Koalicion parazgjedhor për zgjedhjet lokale 2021, i BDI me LSDM-në nga njëra anë, dhe e vetëquajturës “opozitë” ASH-AAA me VMRO-në nga ana tjetër, janë dëshmi e qartë e synimit për keqpërdorim me pushtetin lokal, në funksion të akomodimit në pushtet të individëve dhe klaneve brenda këtyre partive.
Me koalicionimin me VMRO, koalicioni i vetëquajtur opozitar AAA-ASH vërtetoi para opinionit publik, atë që shqiptarët e kishin të qartë prej kohësh – ky koalicion nuk ofron asgjë të re shqiptarëve dhe nuk dallon në asgjë për nga qëndrimet dhe veprimet politike, nga BDI në pushtet.
LSHD, me këtë deklaratë dëshiron të sigurojë anëtarët, simpatizantët, dhe te gjithë qytetarët shqiptar që presin një qeverisje më të mirë, se nuk do të bëjë kurrë koalicione për pjesëmarrje ne qeverisje me LSDM, VMRO, apo cilëndo parti tjetër në pushtet apo opozitë, pa një marrëveshje paraprake, për të sanksionuar qartë në kushtetutën e vendit, pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon shqiptarëve.
Me këtë deklaratë për shtyp, LSHD bën publike kandidaturën e LSHD për kryetar të komunës së Tetovës, tani më të konfirmuar edhe nga Komisioni Zgjedhor Komunal, të zotit Afrim Ibrahimi – Fanda.
Zoti Afrim Ibrahimi – Fanda, është një figurë e pastër politike, me qëndrime korrekte politike tanimë të njohura për gjithë opinionin publik, i cili bashkë me LSHD, në këto zgjedhje lokale do t’i i sjelli qytetit një ofertë të re politike, me synimin për të kthyer bashkinë e Tetovës në shërbim të qytetarëve të Tetovës.