Kurti s’heq dorë nga reciprociteti për targat: Ose të dyja do t’i mbajmë, ose të dyja do t’i heqim
Të hënën, autoritetet nisën me zbatimin e kësaj mase. Si pasojë qytetarë serbë nisën të protestojnë duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës. Pas situatës së tensionuar, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë i kanë shkuar Kurtit në zyrë. Në këtë takim, siç ka njoftuar Qeveria, u diskutua për vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, thuhet në njoftim.
“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se policët janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Ai ka potencuar se qytetarët serbë s’kanë pse të ndihen të frikësuar.
“Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.
Në fund, komunikata përfundon me njoftimin se “Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”.
Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Kosova tërheqjen e trupave nga veriu. Ai madje i dha Bashkimit Evropian një muaj që t’i përgjigjet nëse marrëveshjet e Brukselit kanë skaduar apo jo.
koha