Rama: E drejta është me Kosovën – Serbia t’u japë fund manovrave teatrale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të hënën në Prishtinë se zbatimi i reciprocitetit për targat me Serbinë është e drejtë e ligjshme e Kosovës, e cila, tha ai, duhet të trajtojë me kujdes situatën dhe në bashkërendim me partnerët e saj strategjikë.

Kryeministri Rama po qëndron për një vizitë në Prishtinë në një periudhë, kur Kosova po përballet me tensione në veri, ku grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Të hënën e kaluar qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë pë të zbatuar vendimin mbi targat. Kjo nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili tha se ka ngritur shkallën e gatishmërisë ushtarake, ndërsa avionët e tij fluturuan afër vijës kufitare me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave

E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përgjithshëm në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën po e bën buall, a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë kur në fakt thjesht po bën zbatimin e një marrëveshjeje reciprokisht të dakordësuar”, tha kryeministri Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të trajtojë me kujdes dërgimin e njësive të posaçme në zonë që të mos shndërrohet “në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”.

Kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare është e bindur se problemi duhet të zgjidhet me dialog, duke shtuar se “unë besoj fort se janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë duke e shmangur ngrirjen e konfliktit në këtë pikë, ku demonstrimet e uniformave ushtarake duhet t’ia lënë vendin demonstrimit të forcës së arsyes dhe të argumenteve në rrafshin diplomatik”.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e hapur për bisedime të cilat janë refuzuar nga Beogradi, ndërsa ritheksoi se masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

Ne kemi bërë një ofertë me të cilën kemi thënë që nuk ia vlen të kemi targa të përkohshme. Edhe Republika e Kosovës edhe e Serbisë t’i heqin ato dhe besoi, se pakrahasueshmërisht, më shumë kanë arsye shqiptarët që t’iu pengojë targa e Serbisë, që ka “katër S” me çirilicë, të cilin keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës e madje të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve se sa do të duhej t’ua vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi, mirëpo ne kemi thënë se po i heqim targat e përkohshme. Ata le të vijnë lirisht, ne të shkojmë lirisht dhe qarkullimi i lirë, liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit të jetë sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë”.

Ai tha se njësia e posaçme e policisë nuk ndodhet në veri për të demonstruar forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët kufitarë.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thanë të hënën se kanë shtuar numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve në mbarë Kosovën, përfshirë edhe në veriun e Kosovës.

“KFOR-i po vëzhgon nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që buron nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar – që të ofrojë mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e forcave paqeruajtëse.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi shkroi në rrjetin Twitter se atashetë amerikanë dhe kanadezë të mbrojtjes vizituan vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak, “për të kuptuar më mirë situatën. Ata ishin të kënaqur të vënë re se KFOR-i ishte në zonë si një faktor stabilizues”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ulin tensionet dhe të punojnë së bashku në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë e posaçme të policisë dhe hequr barrikadat, ndërsa paralajmëroi një takim të negociatorëve të të dyja palëve, në ditët në vijim.

Zyrtarë të BE-së thanë se të mërkurën pritet të mbahet takimi ndërmjet shefave të grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>