Lituania thirrje konsumatorëve të mos përdorin dy telefona kinezë

Sipas një raporti të qeverisë lituaneze, një telefon mjaft popullor, i prodhuar në Kinë, por që qarkullon në Lituani, ka të integruar brenda tij një pajisje e cila shërben për të censuar fjalë apo fraza në internet. Pajisja i fut ato në një listë të zezë faqesh online të cilat rezultojnë të bllokuara sa herë që kërkohen. Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që kanë një telefon të tillë, ta heqin nga përdorimi. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Henry Ridgwell njofton.

Ministria lituaneze e Mbrojtjes ka analizuar tre telefona shumë popullorë, të cilët janë prodhuar në Kinë e që shiten aktualisht në Evropë. Bëhet fjalë për telefonat e prodhuar nga kompanitë kineze, Xiaomi, Huawei dhe OnePlus.

Autoritetet thonë se brenda telefonin (Mi 10T 5G) të kompanisë Xiaomi kanë gjetur një pajisje e cilat përdoret për të bllokuar fjalë apo fraza që një përdorues mund të kërkojë në telefonin e tij, mes tyre “Zëri i Amerikës”.

“U bë e qartë për ne se pas këtyre fjalëve kyçe qëndrojnë motive politike. Në listë përmenden fjalë të tilla si Tibeti, Tajvani, demokracia, SHBA dhe emra kompanish, mes tyre “Zëri i Amerikës”, thotë Margiris Abukevicius, zëvendës Ministër i Mbrojtjes e Lituanisë.

Xiaomi është marka më popullore e telefonave inteligjentë në Evropë. Ekspertet thonë se edhe pse pajisja ishte fikur në telefonat Xiaomi të shitur në Evropë, ajo mund të aktivizohej nga distanca. Lista e fjalëve të bllokuara duket se azhurnohet vazhdimisht. Në kohën e nisjes së hulumtimit në të kishte 449 fjalë apo fraza.

“Nëse e krahasojmë listën aktuale me atë që kemi analizuar disa muaj më parë shohim dallime. Tashmë ka shumë më tepër fjalë. Dhe ne po shohim se ata po shtojnë jo vetëm fjalë në gjuhën kineze por edhe në latinisht”, thotë Margiris Abukevicius, zëvendës Ministër i Mbrojtjes e Lituanisë.

Edhe shërbimet gjermane të sigurisë kanë nisur gjithashtu një shqyrtim teknik të telefonit të kompanisë Xiaomi.

Përfaqësuesit e kësaj të fundit nuk iu përgjigjën kërkesës së “Zërit të Amerikës” për komente. Kompania tha këtë javë se po angazhonte një ekspert të pavarur për të vlerësuar gjetjet.

Ekspertet lituanezë zbuluan se telefoni i kompanisë Huawei model (P40 5G) mblidhte të dhënat e përdoruesve, përfshirë se sa kohë kalonin në përdorimin e një aplikacioni dhe i ruante të dhënat në servera jashtë Bashkimit Evropian, përtej juridiksionit ku zbatohen ligjet e bllokut lidhur me të dhënat.

Analistët thonë se platforma zyrtare dixhitale për shkarkimin e aplikacioneve e kompanisë Huawei, e quajtur “AppGallery”, i orientonte përdoruesit tek aplikacionet që përmbajnë viruse.

Në një deklaratë, kompania Huawei i tha Zërit të Amerikës se “Huawei i është përmbajtur gjithmonë parimit të integritetit, në përputhje me ligjet dhe rregulloret e vendeve dhe rajoneve ku operon”. Më tej kompania shtonte se: “këto aplikacione janë nga burime në dispozicion të publikut, kështu që përdoruesi nuk është i detyruar t’i shkarkojë ato”.

Lituania u ka kërkuar punonjësve të qeverisë që t’i heqin nga përdorimi telefonat Xiaomi dhe Huawei.

“Për të garantuar sigurinë kombëtare, ne po kërkojmë mënyra për të mbrojtur institucionet tona shtetërore dhe ato që punojnë në fushën e sigurisë kombëtare, për t’u dhënë atyre një shans për të punuar vetëm me furnizues të besuar. Kur bëhet fjala për konsumatorët, ne u bëjmë atyre rekomandime: sikurse që të shmangin përdorimin e disa aplikacione të prodhuara nga Kina”, thotë Margiris Abukevicius, zëvendës Ministër i Mbrojtjes e Lituanisë.

Pekini nuk ka bërë ende asnjë koment mbi raportin.

Shumë vende perëndimore mes tyre Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përfshirë kompaninë Huawei në ndërtimin e rrjeteve celulare 5G, dhe kjo për arsye sigurie.

“Unë mendoj se hulumtimi ynë është një ilustrim se si duhet të shkojmë përtej diskutimit që lidhet me sektorin e telekomunikacionit, e të mendojmë për sektorët e tjerë”, thotë Margiris Abukevicius, zëvendës Ministër i Mbrojtjes e Lituanisë.

Raporti vjen në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara mes Lituanisë dhe Kinës. Të dy vendet kanë tërhequr ambasadorët respektivë, pasi Tajvani dhe Lituania ranë dakord të hapin zyra diplomatike në kryeqytetet e njëri-tjetrit. Kina pretendon se Tajvani është territor i saj. Pekini ka ndaluar transportin hekurudhor drejt Lituanisë dhe ka pezulluar liçencat tregtare për kompanitë lituaneze.

Këtë muaj Shtetet e Bashkuara përsëritën mbështetjen për Lituaninë përballë atyre që Uashingtoni i ka quajtur “praktika kërcënuese ekonomike” nga ana e Kinës.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>