Çfarë mund të pritet nga samiti për Ballkanin Perëndimor?

Deutschland, Westbalkan-Gipfel in BerlinBallkanit Perëndimor nuk do t’i mbyllen dyert, por as hapat e afrimit nuk janë të rëndësishëm. Nuk pritet as ndonjë datë konkrete për anëtarësimin.

Perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në fakt fokusi i samitit që do të mbahet në Brdo afër Kranjit, por lista e temave të tjera është e gjatë: marrëdhënia me Kinën, situata e pasigurt në Afganistan, marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor dhe rritja e çmimeve të gazit. Këto tema në veçanti do të mbizotërojnë darkën e përbashkët.

Pespektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

Pas grindjeve disa javore mbi formulimin, pak para takimit në Slloveni kishte akoma marrëveshje midis qeverive të vendeve të BE-së, nëse gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u hapet perspektiva e anëtarësimit në BE. Sllovenia propozonte që viti 2030 si datë e anëtarësimit. Por kjo datë nuk do të përmendet. Në marrëveshje do të thuhet se progresi drejt anëtarësimit varet nga përparimi i bërë nga vendet kandidate. Në këtë mënyrë u shmang skandali, që të mos lihet fare e hapur perspektiva e anëtarësimit.

Diplomatët e BE-së janë në siklet dhe nuk dinë si të zgjidhin kushtëzimet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë që ka bllokuar procesin e hapjeve të negociatave me BE. Peng e këtij problemi ka mbetur edhe Shqipëria, sepse këto dy vende do të duhej të fillonin së bashku negociatat për anëtarësim. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi gjatë vizitës në rajon se të dy vendet i kanë përmbushur “të gjitha kushtet”. Por Bullgaria aktualisht qeveriset nga një qeveri kalimtare që nuk dëshiron të marrë asnjë vendim. I gjithë progresi është bllokuar që nga viti 2019, kur Tiranës dhe Shkupit iu premtua fillimi i negociatave.

E njëjta vlen edhe për rastin problematik të Kosovës, e cila ende nuk njihet si shtet i pavarur nga disa vende të BE-së. As këtu nuk ka ndonjë lëvizje serioze. Javën e kaluar BE u arrit marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë, por përveç kësaj të gjitha përpjekjet janë të bllokuara.

Rezervat e disa vendeve

Franca ka qenë prej kohësh një nga bllokuesit, kur është fjala për zgjerimin e BE-së. Diplomatët në Paris thonë se progresi në negociata ka ngrirë aktualisht, por kjo nuk do të thotë se kjo ngrirje duhet të zgjasë përgjithmonë. Prandaj qeveria franceze ka pranuar kompromisin e fundit në mënyrë që të parandalojë një debat themelor nëse BE-ja nga ana e saj është e gatshme të zgjerohet dhe nëse është e aftë për integrim.

Tema është shtyrë edhe një herë me një formulim të paqartë. Por kjo nuk e ndryshon zemërimin e krerëve të shteteve në fjalë, të cilët kaherë e kanë parë se Evropa nuk po i plotëson premtimet e dhëna.

Edhe Holanda është në parim një nga kundërshtarët e zgjerimit. Por diplomatët atje thonë se zgjerimi nuk është ndalur plotësisht – po ecën ngadalë përpara. Dikush do të kishte dashur të kishte bërë përparim më të shpejtë, por reformat në këto vende janë “ato që janë”. Në fund zgjerimi duhet të jetë “i suksesshëm”.

Kjo do të thotë se duhet të merren parasysh shqetësimet e shteteve skeptike anëtare. Nuk është sekret që Holanda ka veçanërisht frikë nga përhapja e mëtejshme e krimit të organizuar dhe drogës nga Shqipëria. Bandat shqiptare janë vendosur gjithnjë e më shumë në këtë vend dhe supozohet se do të kontrollojnë nga atje trafikun e drogës në të gjithë Evropën.

Shqetësime ka edhe në Gjermani, ku ka zëra që duan të pezullojnë pjesërisht liberalizimin e vizave. Shumë qytetarë nga disa vende të Ballkanit paraqesin kërkesa për azil, ndonëse është e qartë se nuk kanë shanse, ose përpiqen të vazhdojnë deri në pafundësi lejet e qëndrimit. Edhe në Berlin entuziazmi për zgjerimit është i zbehur, veçanërisht pasi vendimet do të merren nga qeveria e ardhshme federale.

A janë problem paratë?

Udhëheqësit e BE-së duan që mungesën e vullnetit politik për zgjerimin ta kompensojnë me para. Nëntë miliardë euro do të jepen si grante për Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të ardhshme. Ndërsa 30 miliardë euro si investime. Qëllimi është që të zbatohen projektet urgjente të infrastrukturës, të zgjerohen rrugët dhe lidhjet hekurudhore, të modernizohet telekomunikacioni dhe të përmirësohet kujdesi shëndetësor. BE dëshiron të përfshihet edhe në luftën kundër virusit Corona dhe të shpërndajë vaksina.

Në një studim të Fondacionit Bertelsmann dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thuhet se BE-ja mori nota të këqija për politikën e deritanishme të financimit. Autorët flasin për “optimizëm të qëllimshëm” dhe deklarojnë se paketa e premtuar ekonomike do të bëjë pak për të ndryshuar situatën e mjerueshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor, shpjegon bashkautori Richard Grieveson.

“Strategjia e deritanishme e BE-së, për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit ekonomik rajonal dhe zgjidhjes së konflikteve politike, nuk ka dhënë sukses”, thotë Stefani Weiss, nga Fondacioni Bertelsmann në Bruksel. Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë mbetur shumë prapa ekonomikisht nga anëtarët e BE-së të Evropës Lindore dhe Juglindore.

Çështjet ekonomike

Albanien Ursula von der Leyen zu Besuch bei Edi RamaMegjithëse integrimi rajonal është rritur, ai nuk ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik, thuhet në studim. “Prodhimi bruto i rajonit është ende shumë i ulët – në përgjithësi afërsisht sa GDP i Sllovakisë”, tha Grieveson. Kjo çon në një hendek të madh ekonomik. “Hendeku midis anëtarëve të rinj të BE-së në Evropën Lindore dhe vendeve perëndimore është thelluar, që është shqetësuese. Për afrimin në zhvilim mes vendeve lindore dhe atyre perëndimore nuk mund të bëhet fjalë.

Për të promovuar zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, autorët e studimit rekomandojnë një lidhje sa më të fuqishme ekonomike të këtyre vendeve me BE-në. “Në veçanti kur shihet se anëtarësimi i plotë po largohet për shkak të problemeve të shumta në rajon, Brukseli duhet t’u ofrojë këtyre vendeve një alternativë”.

Duke pasur parasysh prodhimin e ulët ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me më pak se 1% të prodhimit bruto të BE-së, anëtarësimi vështirë se do të ketë ndonjë peshë tek kontribuesit neto të BE-së. Evropa nuk dëshiron t’ia lërë Ballkanin Perëndimor investitorëve kinezë – vetëm ky argument gjeostrategjik aktualisht duket se e mban procesin e anëtarësimit pak gjallë.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>