Operacion eksperimental, transplanti i veshkës së derrit tek njeriu

 

Për herë të parë, mjekët kanë arritur të transplantojnë përkohësisht veshkën e një derri tek trupi i një njeriu. Ky eksperiment i kryer në një spital në qytetin e Nju Jorkut jep shpresë për të ardhmen, teksa ka një mungesë të madhe të organeve njerëzore për transplant.

Mjekët fillimisht kanë ndryshuar genet e derrit, në mënyrë që indet e tij të mos përmbanin më një molekulë të njohur si “alfa -gal”, e cila shkakton një sulm imunitar tek trupi i njeriut në rast transplanti.

Marrësi i veshkës së derrit ishte një grua në vdekje klinike, e cila kishte probleme me veshkat. Për tre ditë, veshka e re u lidh me enët e saj të gjakut dhe u mbajt jashtë trupit të saj, duke u dhënë mjekëve më shumë mundësi për ta studiuar.

Dr. Robert Montgomery, i cili udhëhoqi studimin thotë se funksionet e veshkës së transplantuar “ishin mjaft normale”.

“Në të kaluarën, kur një organ derri është transplantuar, ka pasur një lloj refuzimi të menjëhershëm të organit brenda pak minutave. Tani për shkak të revolucionit në inxhinierinë gjenetike të kafshëve, ne kemi shpresë se mund të tejkalojmë barrierat fillestare”, tha Dr. Robert Montgomery, sipas të cilit veshka e derrit kreu të njëjtat funksione si një veshkë njeriu e transplantuar.

“Të gjitha testet laboratorike dhe çdo studim tregoi se funksionet e veshkës dukeshin mjaft normale. Rezultate të njëjta sikur të bënim një transplant njerëzor. Nuk kishte asnjë refuzim të menjëhershëm dhe më e rëndësishmja, veshka e derrit funksionoi mirë për 54 orë që ne ishim duke studiuar. Këto janë rezultate të kënaqshme”, theksoi më tej drejtuesi i këtij eksperimenti Dr. Robert Montgomery.

Në Shtetet e Bashkuara rreth 107 mijë njerëz aktualisht janë duke pritur për transplantimin e organeve. 90 mijë prej tyre po presin për transplantin e një veshke dhe koha e pritjes mesatarisht shkon nga tre deri në pesë vjet.

Studiuesit kanë punuar për dekada me radhë mbi mundësinë e përdorimit të organeve të kafshëve për transplantime. Studiues të tjerë po shqyrtojnë nëse derrat që janë ndryshuar gjenetikisht, mund të jenë burim për shumë transplante organesh për njerëzit.

Megjithatë produktet mjekësore të zhvilluara nga derrat do të kërkojnë akoma miratim specifik nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>