Raportuesja për Shqipërinë kërkon hapjen e negociatave me BE-në

EURaportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos tha se Tirana zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për të nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas një vizite treditor në Shqipëri, Santos lëshoi një deklaratë për media ku u bëri ftesë të gjitha forcave politike në Shqipëri që të vazhdojnë dialogun, në mënyrë që t’i ndihmohet vendit të ecë përpara në procesin e integrimeve evropiane.

Santos po ashtu u ka bërë ftesë vendeve anëtare të BE-së që më në fund të caktojnë datën për konferencën e parë ndërqeveritare, në të cilën formalisht do të hapeshin negociatat për anëtarësim.

“Parlamenti Evropian ka qenë shumë i qartë për një kohë të gjatë. Ka njohur progresin që ka bërë Shqipëria dhe ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme avancimin e saj në procesin e anëtarësimit”, ka thënë Santos, duke shtuar se edhe Komisioni Evropian, në Raportin e fundit të Progresit ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Përveç Shqipërisë, në pritje të fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në është edhe Maqedonia e Veriut, e cila po ashtu, sipas Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Megjithatë, vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi Bullgaria ka vendosur veto për shkak të mospajtimeve që ka me Shkupin zyrtar. Për këtë arsye, disa shtete anëtare e BE-së kanë kundërshtuar që të hapen negociatat vetëm për Shqipërinë.

Në Bullgari, të dielën më 14 nëntor mbahen zgjedhjet parlamentare dhe shpresat janë që pas zgjedhjeve të ketë përparim drejt arritjes së një zgjidhjeje, që do të hiqte pengesat për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut edhe nga shumica e zyrtarëve të BE-së po shihet si e dëmshme për besueshmërinë e bllokut evropian në rajon.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>