Disa shtete evropiane rikthejnë masat kufizuese

masat kufizuese Evropa është sërish epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ku disa shtete po rivendosin masa kufizuese me qëllim që të frenojnë rritjen e re të rasteve me COVID-19.

Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit dhe sistemeve të mira të kujdesit shëndetësor, rastet me koronavirus në Evropë janë rritur që prej fillimit të tetorit dhe tani niveli i rasteve është më i lartë se që prej fillimit të pandemisë.

Në shtatë ditët e fundit, mbi 2.1 milionë raste janë regjistruar në Evropë, duke e thyer rekordin me më së shumti raste, që ishte shënuar në javën e parë të nëntorit të vitit 2020.

Pesë shtete – Britania, Gjermania, Rusia, Turqia dhe Ukraina – së fundmi kanë shënuar rritje të rasteve me COVID-19 për më shumë se 50 për qind.

Numri i vdekjeve po ashtu është rritur. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri i viktimave javën e kaluar është rritur për 10 për qind dhe vdekjet në baza ditore janë mbi 4,000.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) më 12 nëntor tha se situata po vazhdon të përkeqësohet dhe futi nëntë shtete – Poloninë, Holandën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë dhe Slloveninë – në kategorinë e shteteve me shqetësimin më të lartë.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se rritja e infeksioneve po ndodh për shkak të variantit më infektues Delta, ndryshimit të stinëve dhe imunitetit në rënie nga vaksinat.

Shtetet evropiane po i përgjigjen në forma të ndryshme kësaj vale të re të pandemisë. Qeveria holandeze më 12 nëntor njoftoi për izolim të pjesshëm për tri javë, ndërkaq kancelari austriak, Alexander Schallenberg njoftoi se personat e pavaksinuar në dy rajone të shtetit nga 15 nëntori do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike.

Austria është duke përjetuar një prej shpërthimeve më serioze të virusit në Evropën Perëndimore, së bashku me Gjermaninë, që ka raportuar rekord infeksionesh në ditët e fundit.

Christian Drosten, kreu i virologjisë në spitalin Charite të Berlinit, tha se Gjermania duhet që shumë shpejt ta rrisë nivelin e vaksinimit, që aktualisht është 67 për qind. Por, zyrtarët kanë hequr dorë nga vaksinimi i detyrueshëm dhe duan që të shmangin çdo masë izoluese.

Prandaj, Gjermania dëshiron që të rihapë qendra të vaksinimit në mbarë shtetin që njerëzit të mund të marrin doza përforcuese të vaksinimit, ndërkaq Instituti Robert Koch ka lëshuar një thirrje urgjente që “ngjarjet e mëdha të pezullohen kurdo që munden apo të shmangen, dhe që të gjitha kontaktet jothelbësore të ulen”.

Franca së fundmi ka njoftuar se personat mbi 65 vjeç duhet të marrin dozë përforcuese të vaksinës në mënyrë që të mund të marrin pasaportë shëndetësore. Italia po ashtu po zgjeron dhënien e vaksinave përforcuese dhe po bën thirrje që personat që ende nuk janë imunizuar, ta bëjnë një gjë të tillë.

Në Rusi, ku numri i vdekjeve në baza ditore më 12 nëntori tejkaloi shifrën prej 1,200 për të katërtën ditë me radhë, qeveria ka dërguar në parlament dy projektligje që do të detyrojnë qytetarët që të kenë pasaporta shëndetësore në mënyrë që të kenë qasje në restorante dhe transportin publik.

Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë e apelit ka lënën në fuqi vendimin për të pezulluar një urdhër për kompanitë me 100 apo më shumë punëtorë që t’u kërkojnë vaksina apo testime të rregullta kundër COVID-19 punëtorëve të tyre.

Gjykata e Apelit në Nju Orllins të Luizianës, konfirmoi vendimin e saj të mëparshëm, pavarësisht qëndrimit të administratës së presidentit, Joe Biden që një vendim i tillë do të mund të çojë në vdekjen e dhjetëra apo qindra personave.

Çfarë është varianti Delta Plus i koronavirusit? 

Më 10 nëntor, autoritetet shëndetësore në Kosovë njoftuan se kanë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të koronavirusit.

Këto raste janë identifikuar nga 59 mostra të analizuara në një laborator në Gjermani.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, varianti Delta vazhdon të jetë dominues në Kosovë, megjithatë “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”.

Delta Plus

Varianti Delta Plus i koronavirusit është “kushëri” i Deltas, ndërsa është identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator.

Për shkak se nuk është variant që përbën interesim apo shqetësim ende, ai nuk është emërtuar zyrtarisht sipas një shkronje të alfabetit grek, sikur variantet e tjera brengosëse.

Shkencëtarët po e monitorojnë variantin e lidhur me Deltan – që njihet si AY.4.2 – për të parë nëse ai mund të përhapet më lehtësisht apo mund të jetë më vdekjeprurës sesa versionet e mëparshme të COVID-19, ka raportuar në tetor agjencia Associated Press.

Në një raport të publikuar së fundmi, zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se ky variant qëndron prapa 6 për qind të të gjitha rasteve të analizuara me COVID-19 atje, dhe se ai është “në një trajektore në ngritje”.

Delta Plus i ka dy mutacione në proteinën gjembore, që i ndihmojnë koronavirusit të pushtojë qelizat e trupit. Këto ndryshime janë parë gjithashtu edhe në versionet e tjera të virusit, prej kur ka filluar pandemia, por nuk kanë shkuar larg, ka thënë Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës në “University College London”.

Varianti Delta mbetet “deri më tani varianti më dominues në aspekt të qarkullimit global”, ka thënë Maria Van Kerkohve, udhëheqëse teknike për COVID-19 në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Delta është dominues, por Delta po evoluon”, është shprehur ajo, duke shtuar se sa më shumë që të qarkullojë virusi, aq më të mëdha bëhen gjasat e tij për të pasur mutacione.

Agjencia për shëndetësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara aktualisht po i përcjell 20 variacione të variantit Delta. Varianti AY.4.2 është “një (variant) për t’u vëzhguar, sepse ne duhet të përcjellim vazhdimisht ndryshimet e këtij virusi”, ka thënë Van Kerkhove.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, varianti Delta qëndron prapa pothuajse të gjitha rasteve me COVID-19. Varianti më i ri, Delta Plus, është vërejtur “me raste”, por ende nuk përbën arsye për shqetësim, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë.

Paqartësitë rreth variantit Delta

Shkencëtarët po punojnë që të mësojnë më shumë rreth variantit Delta, që thuhet se është dy herë më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit. Megjithatë, ende ka shumë paqartësi nëse Delta shkakton sëmundje më të rëndë se variantet paraprake. Sipas studimeve të kryera në Skoci dhe Kanada, të cilat i kanë cituar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara, Delta mund të rezultojë në hospitalizimin e personave të pavaksinuar, shkruan Yale Medicine.

Ndërkaq, në një raport të publikuar nga The Lancent, thuhet se personat në Angli, të infektuar me variantin Delta, kishin dyfish më shumë gjasa që të hospitalizoheshin sesa ata të infektuar me variantin Alfa (varianti fillestar i COVID-19).

Delta po ashtu shkakton simptoma të ndryshme nga variantet paraprake. Simptomat më dalluese të personave të prekur me variantin Delta janë kokëdhimbja, dhimbja e fytit, shkuarja e hundëve dhe temperatura.

Profesionistët shëndetësorë rekomandojnë që me qëllim që njerëzit të mbrohen nga Delta, duhet të vaksinohen plotësisht.

Vaksinat që përdoren në SHBA (Pfizer dhe Moderna) kanë shfaqur mbrojtje të fortë ndaj Deltas, veçanërisht kundër sëmundjes së rëndë, hospitalizimit dhe vdekjes, ka thënë CDC-ja.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>