Senati konfirmon z. Jeffrey M. Hovenier në postin e ambasadorit amerikan në Kosovë

Jeffrey HovenierSenati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Z. Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.

Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin.

Zoti Hovenier ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.

Zoti Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në senat, zoti Hovenier, tha se do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike dhe do të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, tha ai.

voa

Kush është ambasadori i ri i SHBA në Kosovë? 

Senati amerikan e ka konfirmuar si ambassador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, diplomatin Jeffrey M.Hovenier. Ai do ta zërë vendin e ambasadorit të deritanishëm, Philip S.Kosnett.

Por, kush është Hovenier?

Në korrik të këtij viti, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Njoftimi ishte bërë nga ana e Shtëpisë së Bardhë.

Sot, ai është konfirmuar si ambassador edhe nga Senati amerikan.

“Jeffrey M. Hovenier nga Uashingtoni, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Kategoria e Ministrit-Konsulentit, do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.

 

Votimi i nominimit është vendosur në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit më 19 tetor 2021. Nominimi është pranuar nga Presidenti më 13 korrik2021″, thuhet në njoftimin e Senatit.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier ka qenë zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.

Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.

Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvëndëjë, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett e kishte uruar Hovenier për nominimin që të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>