Qeveria e Maqedonisë së Veriut të mërkurën ka miratuar masa të reja, për të mbrojtur, siç ka thënë, qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve dhe energjisë elektrike, si pasojë e krizës botërore për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Qeveria ka vendosur lirimin e akcizës për karburantet, heqjen e TVSH-së për artikujt ushqimor bazë, si mielli, buka, vaji, mishi, sheqeri, vezët e disa prodh ime tjera. Një vendim tjetër është mbajtja deri në fund të vitit e akcizës prej 5 për qind për energjinë elektrike dhe ngrohjen qendrore.
“Kemi miratuar një pako prej 26 masash dhe rekomandimesh për përballje me pasojat e krizës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Do të jetë një vit i rëndë, por do ta përballojmë… Qeveria ka vendosur heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga 5 në 0 për qind… Vendimi tjetër ka të bëjë me ngrirjen e marzhës për të gjitha produktet ushqimore bazë. Sa i përket karburanteve, Qeveria ka vendosur heqjen e taksës ekologjike, uljen e akcizës për 4 denarë për lirë, që nënkupton kthimin e çmimit të naftës të periudhës së para shtrenjtimit të fundit, nga 85 në 75 denarë”.
“Çmimi i naftës tani e tutje është vendosur të përcaktohet në baza ditore. Do të ketë subvencione për kategoritë më të rrezikuara. Vendimi do të përfshijë 35 mijë familje që do të marrin nga 1000 denarë (15 euro) në muaj. Edhe pensionistët do të marrin subvencione prej 1000 denarësh gjatë tre muajve të ardhshëm”, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Masat u ndërmorën pas shtrenjtimit të fundit të karburanteve, në veçanti të naftës për 10.9 për qind, si dhe të lëndëve të tjera djegëse prej 10.2 për qind, por edhe të produkteve ushqimore.
Në Maqedoninë e Veriut çmimi i naftës të mërkurën është shitur me 85 denarë apo 1.38 centë, ndërsa i benzinës 91.5 denarë apo 1.48 centë. Qeveria pretendon se çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut janë më të ulëta në rajon dhe se ashtu do të mbeten.
Por, opozita kërkon masa edhe më lehtësuese, përkatësisht uljen e akcizës së karburanteve prej 50 për qind, si dhe të heqjen e tërësishme të TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike.
“Qytetarët vazhdojnë të vidhen nga shteti me nga 13 denarë për çdo litër naftë që blejnë. Këto para janë nga akcizat që shteti refuzon t’i ulë. Shteti vazhdon t’i vjedhë qytetarët edhe për produktet ushqimore që po rriten në baza ditore. Ne kërkojmë uljen e TVSH-së nga 5 në 0 për qind për të gjitha produktet ushqimore, por Qeveria vazhdon të heshtë pasi me paratë e qytetarëve po e mbush buxhetin që të mund pastaj t’i shpenzojnë në tenderë dhe lukse tjera”.
“Ne tash e dhjetë ditë po kërkojnë miratimin e një ligji në Kuvend për lirimin e akcizës për karburantet për 50 për qind dhe masa tjera, por ato po refuzohen vetëm pse nisma është e opozitës”, ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Ndërkohë, Komiteti për Stabiliteti Financiar, me të cilin kryeson Banka Popullore ka garantuar stabilitet të kursit të denarit.
“Sistemi financiar është gjithashtu i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur sfidave që mund të lindin nga konflikti ruso-ukrainas, ashtu siç ka përballuar me sukses rreziqet gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Të gjitha shërbimet financiare ofrohen pa probleme në përputhje me nevojat e qytetarëve, ndërsa do të monitorohen edhe politikat tjera në përputhje me rrethanat me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
rel