Në Shqipëri, kryetari demokrat Lulzim Basha dha sot dorëheqjen nga drejtimi i forcës kryesore politike të së djathtës. Zoti Basha udhëhoqi PD-në prej gati 9 vitesh, duke pasuar në këtë detyrë zotin Sali Berisha, i cili u largua pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013.
Pavarësisht disa humbjeve zgjedhore radhazi, ai mundi të ruajë pozitat drejtuese falë mbështetjes, që gëzonte nga ish kryeministri Berisha. Ishte përplasja me të, që shënoi dhe fillimin e fundit të tij në krye të një partie, që u përça dhe u dobësua nga lufta e brendshme.
Në shtator të vitit të kaluar, zoti Basha vendosi të linte jashtë grupit parlamentar zotin Berisha, për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për ta përcaktuar atë në listën e zyrtarëve të përfshirë “në korrupsion në nivel të lartë”, e për pasojë duke mos lejuar më hyrjen e tij dhe familjes së tij në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Ish kryeministri ndërmori menjëherë një lëvizje në bazën e partisë, duke tërhequr pas vetes mbështetësit e tij në degët e partisë dhe nga radhët e deputetëve. Në dhjetor, ai thirri një kuvend të demokratëve, në të cilin u votua shkarkimi i zotit Basha, vendim për të cilin u organizua dhe një referendum.
Lëvizjet e ish kryeministrit nuk u njohën nga zoti Basha, i cili po ashtu thirri një tjetër kuvend të demokratëve, duke ju kundërvënë zotit Berisha.
Përplasjet mes palëve u acaruan deri në konfrontime brenda selisë dhe ato kulmuan në 8 Janar, kur ish kryeministri dhe përkrahësit e tij u munduan të marrin me forcë selinë e partisë. Kjo shënoi atë që zoti Basha e cilësoi si “ndarjen përfundimtare” me ish kryeministrin.
Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit i vuri sërish përballë të dyja palët. Këto zgjedhje u panë më së shumti si një test, se kush gëzonte mbështetjen më të madhe në gjirin e demokratëve. Me përjashtim të Shkodrës, ku fitoi kandidati i zotit Berisha, 5 bashkitë e tjera i mbetën socialistëve që regjistruan një diferencë të thellë me opozitën. Por ish kryeministri iu gëzua faktit që kandidatët e tij, me përjashtim të Rrogozhinës, arritën të kishin ndjeshëm më shumë vota se kandidatët e Bashës.
Kryetari demokrat habiti me deklararatën e tij, një ditë pas 6 marsit, kur tha se ai nuk kishte humbur asnjëherë, asnjë betejë elektorale. Por në të vërtetë, rezultati i atyre zgjedhjeve, ishte goditja që duket se e rrëzoi zotin Basha. Në kor, shumica dërrmuese e deputetëve që zgjodhën të qëndronin me të, i kërkuan largimin.
Në fjalën e mbajtur sot përballë mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar, kur deklaroi dorëheqjen, zoti Basha u shpreh se “fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh të paparimta dhe të pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët”.
Zoti Basha theksoi më tej se “këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve”.
Por sa do të ndikojë kjo lëvizje e zotit Basha në ribashkimin e demokratëve? Mbështetësit e tij i kërkuan ditët e fundit të bënte një hap pas, dhe e kushtëzuan këtë lëvizje edhe me një tërheqje të zotit Berisha nga ambicia për të rimarrë drejtimin e PD-së. Edhe sonte, në një deklaratë që pasoi largimin e zotit Basha kërkohet që pala tjetër “të ofrojë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, i cili duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë kështu pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen e PD dhe për të bërë të mundur bashkimin mes demokratëve”. Grupi parlamentar madje shton se “në këtë rast kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD, me qëllim shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA”. Me fjalë të tjera, grupi parlamentar duket se nuk ka bërë asnjë hap pas nga qëndrimi që ka mbajtur zoti Basha lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara ndaj zotit Berisha.
Sipas tekstit të deklaratës, grupi “shpeh gatishmërinë për të negociuar me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme, që sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë Bashkimit”, duke njoftuar se do të kërkojë ndërmjetësimin e Partive Popullore Europiane, “me qëllim lehtësimin e komunikimit dhe gjetjen e një zgjidhje afatgjatë dhe të pranueshme”.
Por ish kryeministri Berisha e ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e tërheqjes, duke theksuar se në një demokraci funksionon mekanizmi i votës së lirë. Edhe sonte në një reagim, pas dorëheqjes së zoti Basha, ai i mëshoi sërish kësaj teze. “Rikthimi tek vota e lirë i çdo demokrati dhe njohja e kontributeve të gjithesecilit është rruga e vetme që sjell bashkimin dhe më pas fitoren e PD-së”, shkroi ai në një status në Facebook. Fakti që deputetët e grupit parlamentar demokrat ripohojnë se i qëndrojnë besnikë pozicionit të mëparshëm ndaj raportit të krijuar mes SHBA-ve dhe ish kryeministrit, që ishte dhe shkaku i ndarjes, vështirë se mund të çojë në një afrim mes palëve.
Duket se dhe anëtarët e grupit parlamentar janë të vetdijshëm për këtë duke qenë se në deklaratën e tyre vlerësojnë se “se pas realizimit të dakordësisë për pikat e mësipërme, i hapet rrugë mundësisë për të gjetur një mekanizëm konsensual, në konsultim edhe me institucionet e tjera të Partisë”, që do të ketë si synim “ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve; përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe riorganizimin e partisë në bazë; dhe përgatitjen e kushteve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha strukturat drejtuese në qendër menjëherë pas zgjedhjeve lokale”.
Në një situatë të tillë, Partia Demokratike duket se do të kalojë një periudhë të gjatë paqartësish dhe në një garë të vazhdueshme mes palëve. Për më tepër, qëndrimi i grupit parlamentar nuk është marrë në unanimitet, por vetëm nga “shumica e anëtarëve të tij”, siç deklaroi kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj. Gjë e cila mund të çojë në rrjedhje të tjera drejt zotit Berisha.
Sipas statutit të Partisë Demokratike, në rastin e dorëheqjes “Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”. Nga katër nënkryetarë, PD-ka ka aktualisht vetëm dy në detyrë, zotin Enkelejd Alibeaj dhe zonjën Jorida Tabaku. Dy të tjerët, Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma, dhanë dorëheqjen pas 6 marsit.
Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi bëri të ditur më vonë, se ai kishte thirrur menjëherë dy nënkryetarët dhe drjetuesen e Këshillit Kombëtar Arta Sakja. “Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar zoti Enkelejd Alibeaj”, njoftoi zoti Bardhi.
Reagimet ndërkombëtare
Ambasada amerikane reagoi pak pas dorëheqjes se zotit Basha duke vlerësuar se vendimi i marrë prej tij “meriton respekt. Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqësisë së vërtetë”.
Ambasada shprehet më tej se “shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën, që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian; dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike, mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë, që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr, është thelbësore për demokracinë”, nënvizon deklarata e cila mbyllet duke theksuar se “mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë mbeten të pandryshuara”, një referencë e qartë për vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit, kundrejt zotit Berisha.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u shpreh gjithashtu se respekton vendimin e zotit Basha, duke shtuar se “si çdo demokraci tjetër, Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë që i kërkon llogari qeverisë dhe e kontrollon atë. Ne presim që lidershipi i ri ta luajë këtë rol vendimtar dhe të vazhdojë të mbështesë integrimin në BE, si qëllim themelor të veprimit të tij, duke nxitur reformat dhe duke mbështetur reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, përfundon deklarata e Delegacionit të BE-së.
voa