Lufta në Europë është rikthyer dhe me këtë edhe frika në Gjermani. Çfarë ndikimi ka tek gjermanët agresioni rus kundër Ukrainës dhe si përgatiten gjermanët për katastrofat?
Ndryshimi i klimës, pandemia e Coronës dhe sikur këto të mos mjaftonin ato, agresioni rus kundër Ukrainës ka mbuluar gjithçka, lajmet e këqija po shtohen. Një atmosferë krize është përhapur në Gjermani. Si matës për një vend të trembur janë kthyer raftet bosh në supermarkete, kufizimet tek makaronat dhe majaja.
Javët e muajt e ardhshëm “priten kufizime të flukseve të mallrave si vaj luledielli, liri, dhe soje nga rajoni i konfliktit”, paralajmëron Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Vajit, OVID. Ukraina dhe Rusia janë eksportueset kryesore të vajit të lulediellit. Gjermania e mbulon 94% të nevojës për këto produkte nga importi. Nga shqetësimi se mund të ketë mungesë furnizimi të këtyre artikujve ushqimorë, po mblidhen rezerva të miellit dhe makaronave. Megjithëse për këto produkte nuk është dhënë alarmi.
Sipas një sondazhi të Forsas, 69% e të anketuarve kanë frikë se NATO dhe me këtë edhe Bundeswehri mund të përfshihen në luftë. Sipas sondazhit të fundit të Trendit të Gjermanisë, shumë të pyetur janë të mendimit se ky konflikt do të lerë gjurmë në Gjermani. 64% presin përkeqësim të situatës ekonomike. Deri tani qytetarët gjermanë ishin me besim tek e ardhmja, por lufta, që pjesërisht mund të ndiqet live në mediat sociale dhe gjeografikisht është kaq pranë i ka prekur emocionalisht gjermanët.
Në telefon për të folur për frikën
Shumë më shpesh se më parë po kërkohet ndihmë në linjën telefonike të këshillimit psikologjik. “Kërkesat janë bërë shumë intensive”, shprehet Christina Zajackovski nga qendra e Kölnit. Çdo e pesta telefonatë lidhet me frikën e luftës që mund të shtrihet deri në Gjermani, me frikën se mund të bombardohet shtëpia apo se mos u ndodh diçka njerëzve të dashur. Për ata që telefonojnë është qetësuese “të flasin për frikën e tyre dhe të shqiptojnë fantazitë më të frikshme që lidhen me luftën”, thotë Zajaskovski.
Ky brez “në kohë paqeje ka mënjanuar gjithçka. Tani këto janë bërë aktuale”, thotë Thomas de Vachroi për DW. I ngarkuari i Kishës evangjeliste për Varfërinë në Neukölln, Berlin drejton “Haus Britz”, një institucion për banim të lehtësuar për të moshuarit. “Ata kanë shumë frikë, se tejkalohet vija e kuqe dhe NATO ndërhyn dhe të gjithë shohin vetëm tmerr. Më duhet të them hapur, që edhe unë e kam këtë frikë.”
“Çfarë po ndodh në botë?”
Të moshuarit në “Haus Britz” nuk kanë frikë për veten, por edhe për fëmijët e nipërit, thotë Vachroi. Pas përvojës së luftës në vitet 1945-1955 ata thonë se “nipërit e mi nuk mund të përballojnë atë që kemi përjetuar ne pas luftës. Të durojnë urinë, të kërkojnë ushqim nëpër fusha, të mos kenë veshje.” Kjo i shqetëson shumë ata, rrëfen Vachroi. “Ata ulen përballë dhe të thonë, zot i madh, çfarë po ndodh në këtë botë?”
Reagime që kreu i Shoqatës Botërore të Mjeëve, Frank Ulrich Montgomery i merr seriozisht. “E rëndësishme është që njerëzit që kanë frikë nga lufta të merren seriozisht dhe të mos minimizohen këto emocione”, thotë ai për grupin mediatik, Funke Mediengruppe.
Përgatitje për katastrofën
Argumentat e arsyeshme nuk i arrijnë sigurisht këto kohë të ashtuquajturit “preprer” ata që prej vitesh përgatiten për katastrofat me imtësi, sepse gjithmonë mendojnë më të keqen. Në internet prezantohen çanta shpine me materiale mbijetese, tableta jodi kundër radioaktivitetit, apo gjeneratorë të rrymës. Një përdorues nxjerr në youtube me pseudonimin “Prepper Norddeutschland” videon “Lufta Rusi-Ukrainë-çfarë duhet të bësh tani?” Të tjerë publikojnë video si të mbijetosh në rast të emergjencave të aksidenteve atomike.
Frika është e mirë për biznesin. Dega e sigurisë përjeton një bum të vërtetë. Tek “Sistemet e Hapësirës Mbrojtëse në Bunkerë për Gjermaninë, BSSD në Berlin janë shumëfishuar pyetjet. “Deri tani klikimet në faqen tonë të internetit kapnin 100 deri në 300 klikime në ditë, tani ato kapin shifrën e 10.000 klikimeve”, thotë drejtuesi i qendrës, Mark Schmiechen. Pyetjet fillojnë nga hapësirat e mbrojtura të çelikut dhe vazhdojnë me bunkerët që të mbrojnë nga sulmet atomike. BSSD ofroi një hotline me 6 telefona për këtë arsye. “Për çdo telefon kishim 10 thirrje në orë”, thotë Schmiechen.
Institucionet e IT-s i tremben sulmeve kibernetike
Frika e shumë gjermanëve lidhet me sulmet kibernetike dhe kolapsin e furnizimit me energji dhe ujë në rast të ndonjë hakerimi rus. Ministrja e Mbrojtjes, Nancy Faser apeloi që ky rrezik të merret seriozisht. Edhe Zyra Federale për Sigurinë e Teknikës së Informacionit është e alarmuar. Autoriteti mbrojtës nga sulmet kibernetike në një njoftim është shprehur se mënyra e verimit të forcave ruse apo atyre të shërbimeve sekrete “është e lidhur me një rrezik të ndjeshëm për sulme me sukses të infrastrukturës së IT-s”.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Popullsisë, BBK tha për DW, se është “parimisht e mundur” një ndërprerje e furnizimit me rrymë elektrike në rast të një sulmi hakerimi. Para dy vjetësh pati tallje, kur kjo zyrë rekomandoi që të mbahen rezerva për 10 ditë. Tani kërkesat tek ky institucion janë shumëfishuar dhe ai ka ofruar në faqen e internetit edhe një rubrikë të posaçme pas luftës në Ukrainë. Situatën aktuale kërcënuese shumë vetë e kanë konsideruar për të pamundur, “por jo Bundeswehri, dhe jo ne, edhe për shkak të detyrës që kemi si institucion”, sqaron BBK. Në këtë kuptim nuk ndryshon asgjë nga skenarët e përgatitjes, por “vetëm intensiteti i përgatitjeve”.
dw