Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) në Maqedoninë e Veriut e bëri të ditur të dielën se e hedh poshtë ofertën e qeverisë për ngritjen me 10 përqind të rrogave të punojësve të arsimit. Sindikata ngul këmbë që rritja e pagave të mësuesve të bëhet me 18,4%. Aktualisht, mësuesit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme janë hedhur në grevë dhe në pjesën dërrmuese të shkollave nuk po mbahet mësimi.
Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK u tha gazetarëve se oferta e fundit e para dy ditëve e qeverisë për ngritjen vetëm me 10% të rrogave nuk ishte e pranueshme për 95 përqind të organizatave sindikaliste, të cilat i përfaqëson SASHK-u. Ai tha se greva nëpër shkolla dhe kopshte të fëmijëve do të vazhdojë nga dita e hënë.
Sindikata e Arsimit e vlerëson si joserioze qasjen e autoriteteve ndaj çështjes. Sindikata ka edhe mbështetjen e opozitës lidhur me kushtet e paraqitura.
Bisedimet me Ministrinë e Arsimit janë zhvilluar për disa javë, por ende nuk është arritur një zgjidhje.
Qeveria thotë se ngritja e rrogave do të bëhet shkallë-shkallë, por se “kërcënimet e Sindikatës dhe greva që dëmtojnë nxënësit dhe procesin arsimor nuk janë të pranueshme”. Qeveria bën thirrje për vazhdimin e dialogut.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka lënë të kuptohet se po kërkon mësues për zëvendësimin e mësuesve – grevistë, ashtu siç e parashikojnë ligjet në situata të këtilla. Ndërkohë, Sindikata e shikon këtë si një trysni ndaj mësimdhënësve dhe punonjësve të kopshteve për t’i dhënë fund grevës.
SASHK kërkon një marrëveshje kolektive me qeverinë për ngritjen e pagave në bazë të përshtatjes së rrogave me ngritjen e fundit të pagës minimale në vend.
Para pak javësh qeveria në Shkup e ngriti për 1800 denarë (rreth 32 dollarë) rrogën minimale mujore duke e çuar në rreth 320 dollarë. Por, kjo krijoi një lloj disbalance në fusha të tjera si ajo e arsimit, ku rroga mesatare është rreth 400 euro.
Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e punonjësve të arsimit dhe të sindikatave në këtë periudhë të krizës ekonomike dhe energjetike, si pasojë globale e pandemisë së COVID-19 dhe së fundmi e agresionit rus në Ukrainë.
Qeveria thotë se që nga viti 2017 e në vazhdim, pagat në arsim janë ngritur për 3200 deri në 6400 denarë (55 -112 dollarë), një gjë që sipas saj nuk ka ndodhur gjatë qeverisjeve të kaluara.
voa