Rusia vijon pa ndërprerje sulmet në Ukrainë, Zelenskiy kërkon më shumë armë

MariupolUshtria ruse vijoi sulmet në Ukrainë, ndërsa luftimet hynë në ditën e 60-të. Pjesa më e madhe e luftimeve të dielën u përqendrua në rajonin lindor të Donbasit, ku forcat ukrainase janë të përqendruara dhe ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollonin disa territore para luftës. Pas dështimit për të marë kontrollin e Kievit, forcat ruse tani synojnë të marrin nën kontroll zonën industriale në lindje të Ukrainës.

 

Dy muaj pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, sulmet nuk kanë të ndalur. Autoritetet ukrainase njoftuan se forcat ruse po bombardonin vazhdimisht Mariupolin, ndërsa Kievi i kërkoi Moskës të pranonte një “armëpushim të vërtetë për Pashkët”

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se raketat e saj me precizion të lartë goditën nëntë objektiva ushtarake ukrainase gjatë natës, duke përfshirë katër depo armësh në rajonin e Kharkivit.

Raketat goditën edhe zonat e banuara në qytetin port të Odesës. Sipas zyrtarëve lokalë ukrainas të paktën pesë persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën pasi raketat goditën dy ndërtesa banimi në Odesa. Po ashtu tetë persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin Luhansk, njoftoi guvernatori rajonal Serhiy Gaidai.

Mariupol ka qenë në qendër të luftimeve të ashpra që nga fillimi i luftës për shkak të vendndodhjes së tij në Detin Azov. Nëse Rusia do të siguronte kontrollin e këtij qyteti, atëherë do ta privonte Ukrainën nga një port jetik. Po ashtu do t’i lejonte Moskës të krijonte një korridor tokësor për në Gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Më shumë se 100 mijë banorë besohet se janë ende në Mariupol, ndërsa kanë mungesë ushqimesh dhe ujë të pijshëm. Autoritetet ukrainase vlerësojnë se mbi 20,000 civilë janë vrarë

Nga një stacion metroje në Kiev, presidenti Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se Ukraina shpresonte të siguronte armë të rënda nga aleatët. Ai tha se Kievi do të hiqte dorë nga bisedimet me Moskën nëse Rusia vriste ushtarët ukrainas të rrethuar në Mariupol.

Zoti Zelenskiy nuk i mbajti dot lotët kur tha se ndante dhimbjen e çdo ukrainasi që kishte humbur fëmijët apo familjarë në luftën e nisur pa asnjë arsye nga Rusia.

Në aspektin diplomatik, presidenti turk njoftoi sërish se Turqia është gati të ndërmjetësojë për një takim mes udhëheqësit ukrainas dhe atij rus.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do të vizitojë Ankaranë përpara se të shkojë në Moskë javën e ardhshme për të takuar Presidentin rus Vladimir Putin. Më pas ai do të udhëtojë në Ukrainë për bisedime me presidentin Zelenskiy.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se 5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë më 24 shkurt. Refugjatët, kryesisht gra e fëmijë, janë shpërndarë nëpër Evropë, në një përpjekje për të nisur gjithçka nga e para.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>