Francë, Macron fiton zgjedhjet presidenciale

France Presidential ElectionPresidenti francez Emmanuel Macron fitoi ndaj rivales së tij të ekstremit të djathtë Marine Le Pen me një avatazh të qartë në zgjedhjet e së dielës, duke siguruar një mandat të dytë dhe duke shmangur kështu një tërmet politik në vend.

Zonja Le Pen e pranoi humbjen, por tha se do të vazhdojë luftën politike kundër Presidentit Emmanuel Macron në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

“Francezët treguan sot një dëshirë për një kundërpeshë të fortë ndaj Emmanuel Macronit, për një opozitë që të vazhdojë t’i mbrojë ata”, u tha ajo përkrahësve të saj.

“Unë kurrë nuk do t’i braktis francezët”, shtoi ajo më tej.

Rezultatet tregojnë se zoti Macron ka siguruar rreth 58% të votave.

Por Presidenti Macron mund të mos ketë shumë kohë për të festuar, pasi shumë zgjedhës, veçanërisht nga e majta votuan për të pa shumë entusiazëm, vetëm për të mos lejuar një fitore të së djathtës ekstreme. Protestat që shpërthyen gjatë mandatit të tij të parë mund të rikthehen shumë shpejt, ndërsa ai përpiqet të vazhdojë reformat pro-biznesit.

Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran duke folur për televizionin BFM, tha se partia e zonjës Le Pen “ka rezultatin e saj më të lartë ndonjëherë”.

Do të ketë vazhdimësi në politikën e qeverisë sepse presidenti është rizgjedhur. Por ne po ashtu e kemi dëgjuar gjithashtu mesazhin e popullit francez“, shtoi ai, duke premtuar ndryshim.

Një sfidë e parë madhore do të jenë zgjedhjet parlamentare në qershor dhe partitë opozitare në të majtë dhe në të djathtë do të fillojnë menjëherë luftën politike që të mund të zgjedhin një parlament dhe qeveri që kundërshtojnë zotin Macron.

PRO-EVROPIAN

Agjencitë e sondazheve Ifop, Elabe, OpinionWay dhe Ipsos parashikojnë një fitore 57,6-58,2% për Macron.

Fitorja për centristin, pro-Bashkimit Evropian Macron u përshëndet menjëherë nga aleatët si një triumph i rrymës tradicionale politike që është tronditur vitet e fundit nga dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, zgjedhja e Donald Trump në 2016 dhe forcimi i një brezi të ri udhëheqësish nacionalistë.

“Bravo Emmanuel”, uroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Twitter. “Në këtë periudhë të trazuar, ne kemi nevojë për një Evropë të konsoliduar dhe një Francë plotësisht të përkushtuar ndaj një Bashkimi Evropian më sovran dhe më strategjik.”

Macron do t’i bashkohet një klubi të vogël – vetëm dy presidentë francezë para tij kanë arritur të sigurojnë një mandat të dytë. Por epërsia e tij duket të jetë më e ngushtë krahasuar me vitin 2017 kur ai mundi për herë të parëzonjën Le Pen, çka nxjerr në pah se sa shumë francezë nuk janë të kënaqur me të dhe punën e tij.

Ky zhgënjim u reflektua në pjesëmarrje. Institucionet kryesore të sondazheve të Francës thanë se shkalla e abstenimit do të ishte rreth 28%, më e larta që nga viti 1969.

Me sfondin e agresionit rus të Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore që pasuan atë, që kanë përkeqësuar një rritje të çmimeve të karburantit, fushata e zonjës Le Pen u përqendrua tek rritja e kostos së jetesës si pika e dobët e Macron.

Ajo premtoi shkurtime të thella të taksave të karburantit, taksë zero për qind mbi shitjet për artikujt thelbësorë, përjashtime nga të ardhurat për punëtorët e rinj dhe një qëndrim “francezët të parët” lidhur me vendet e punës dhe mirëqenien.

Zoti Macron ndërkohë e vuri theksin tek admirimi që ajo kishte shprehur në të kaluarën për Vladimir Putinin e Rusisë, duke vënë në pah se asaj nuk mund t’i besohej në skenën botërore, ndërsa këmbënguli se ajo vazhdonte të kishte plane për të nxjerrë Francën nga Bashkimi Evropian – diçka që zonja Le Pen e mohon.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>