Vizita e Donfried dhe Escobar vlerësohet se do t`i shërbejë dialogut

Donfried dhe EscobarPas vizitës së tre senatorëve amerikanë javën e kaluar në Kosovë, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë vijnë për vizitë në Prishtinë.

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar do të takohen me krerët e shtetit.

Sipas njoftimit, ndër të tjera do të bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi, drejt një marrëveshjeje për njohje reciproke. Analistët në Kosovë, thonë se kjo vizitë është e rëndësishme dhe tregon interesin amerikan ndaj Kosovës.

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfrid dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar, do të priten sot në Kosovë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në orët e pasdites. Donfrid dhe Escobar e vizitojnë Kosovën në kuadër të një turi të vizitave në Ballkanin Perëndimor.

Vizitën e tyre në Kosovë, analisti Artan Muhaxhiri, e vlerëson shumë të rëndësishme. Ai tha për Radio Kosovën, se kjo tregon vazhdimësinë e interesit amerikan ndaj Kosovës dhe këmbënguljen që të dinamizohet politika e jashtme. “Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, duhet që ta marrin me seriozitet të jashtëzakonshëm këtë vizitë, sepse është edhe një indikator për domosdoshmërinë e Kosovës, që të bëjë hapa më të mëdhenj në raport edhe me dialogun, por edhe me projektet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të cilat i paraprijnë SHBA-të”, ka thënë Muhaxhiri.

Tutje ai theksoi se agjenda amerikane në Ballkan është në përputhje të plotë me agjendën evropiane dhe ka të bëjë me përfundimin sa më të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi, me arritjen e një marrëveshjeje.

“Të gjitha këto vizita të përfaqësuesve të lartë janë në këtë kontekst, pra të nxitjes së palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të rikthehen në dialog dhe të bëjnë kompromiset e duhura për të arritur një marrëveshje. Absolutisht, shteti i Kosovës nuk guxon ta humbë këtë momentum, sepse është një privilegj i madh, që edhe përkundër shumë krizave globale, posaçërisht luftës në Ukrainë, Amerika të mos e zhvendosë fokusin nga Kosova dhe të punojë në mënyrë intensive për rimëkëmbjen diplomatike dhe politike të shtetit tonë”, deklaroi Muhaxhiri. Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti i Shtetit amerikan, më 25 prill, Donfrid do të qëndrojë në Kosovë ku do ta falënderojë vendin tonë për strehimin e afganëve dhe ukrainasve.

“Do të inkurajojë punën për reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike, dhe do të shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA-të, të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet tutje në agjendë. Donfrid, pas vizitës në Kosovë, do të vazhdojë turin e saj deri më 29 prill në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Sipas agjendës, njëra nga temat që do të diskutojë me Serbinë do të jetë edhe dialogu me Kosovën. Ndryshe, Ballkanin Perëndimor, gjatë javës së kaluar e vizituan edhe tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Thom Tilli dhe Jeanne Shahin. rk

 

Karen DoenfriedKush është Donfried, që nga Washingtoni zbret sot në Prishtinë?

Ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë dhe tani ndihmës sekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor, duke nisur nga sot me Kosovën, e deri me 29 prill ku do të qëndrojë në Shqipëri, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi.

Donfried, sipas DASH-it, do të falënderojë fillimisht Kosovën për strehimin e afganëve dhe ukrainasve.Dialogu Kosovë-Serbi dhe çështjet e sigurisë, pritet të jenë temë e diskutimeve me zyrtarët e lartë kosovarë si presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Me origjinë, diplomatja amerikane e karrierës është nga Amherst, Massachusetts (SHBA). Pas studimeve në Universitetin Wesleyan dhe në Mynih, ajo mori doktoraturën nga Shkolla e Drejtësisë dhe Diplomacisë “Fletcher”.

Karriera në qeverinë amerikane e Donfried-it filloi në vitin 1991 në Shërbimin Kërkimor të Kongresit.

Pati post të lartë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës (NIC) në vitin 2011. Më vonë u transferua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në vitin 2013. Ajo në këtë post, pason Philip T. Reeker. Ky i fundit vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit të kaluar. rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>