Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë shkoi të enjten për vizitë në Maqedoninë e Veriut për të sinjalizuar mbështetjen e fuqishme amerikane mbi anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. Ajo shprehu mirënjohje për angazhimin e Shkupit në kuadër të nismave për Ukrainën. Zyrtarët qeveritarë amerikanë dhe maqedonas do të takohen më 2 qershor në Uashington për thellimin e dialogut srategjik midis dy vendeve.
Në vizitën e parë zyrtare në Shkup si Ndihmës-Sekretare amerikane për çështjet Evropiane dhe Euroziatike, Karen Donfried theksoi mbështejen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, teksa shprehu mirënjohje për rolin e këtij vendi ballkanik në kuadër të NATO-s dhe për mbështetjen lidhur me Ukrainën.
Zonja Donfired e shoqëruar edhe nga zëvendësi i saj Gabriel Escobar dhe zyrtarë të tjerë të Departamentit të Shtetit kanë këshilluar anëtaren më të re të Aleancës Veriatlantike që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me vendet e rajonit për ngritjen e demokracisë dhe qëndrueshmërisë rajonale.
“Ju jeni duke mbrojtur parimet e demokracisë dhe rregullin e mbështetur tek ligjet duke qëndruar krah nesh dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetje të popullit të Ukrainës dhe të drejtës së tyre për përcaktimin e ardhmërisë së tyre”.
SHBA e urojnë Maqedoninë e Veriut për zotimet e vazhduara kundrejt së ardhmes euro-atlantike.
“Ne mbështesim fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojmë të shohim Bashkimin Evropian të mbajë konferencat ndërqeveritare me MV dhe Shqipërinë sa më parë që të jetë e mundur”, theksoi ajo.
“Ju jeni vonuar për një kohë te gjatë. Maqedonia e Veriut ka bërë punë të rëndësishme dhe ka bërë reformat e nevojshme dhe meriton të përparojë sa më shpejtë. E kemi thënë më parë dhe do ta themi sërish: Vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo..
Ndihmës-Sekretarja amerikane tha se pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE do te sjellë qëndrueshmëri në të gjithë Ballkanit dhe mirëqenie më të madhe në Evropë. Ajo tha se SHBA e çmojnë rolin e Maqedonisë së Veriut në Troikën e OSBE-së dhe presin marrjen e drejtimit të radhës nga Maqedonia e Veriut të organizatës në vitin 2023.
Zonja Donfried tha se kjo është kohë sfidash por dhe mundësishë dhe se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar vullnetin për demokraci dhe të drejtat e njeriut ndërsa theksoi shpresat se me vendet tjera partnere të cilat kultivojnë vlerat e njejta do ta drejtojë me sukses Organizatën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë vitin që vjen.
“Vazhdoni ritmin e reformave, ka punë për t’u bërë por Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se di t’iu bëjë ballë sfidave”, tha zyrtarja amerikane.
Autoritetet qeveritare maqedonase kanë theksuar përqendrimin tek standardi jetësor i qytetarëve të vendit dhe kapërcimi i krizës ekonomike dhe i pasojave që vijnë nga kriza energjetike globale, dhe ajo ushtarake në Ukrainë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski është shprehur në takim se qeveria e tij do të vazhdojë t’u përkushtohet zgjidhjeve të të gjitha çështjeve të hapura duke aluduar në marrëdhëniet me Bullgarinë. Ai ka shtuar se kjo do të bëhet duke respektuar vlerat evropiane dhe qasjen me dinjitet në bisedime.
Qeveria në Shkup shpreh mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen amerikane që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Në takimin me zyrtarët amerikanë të Departamentit te Shteit është rënë dakord për forcimin e partneritetit amerikano-maqedonas nëpërmjet dialogut të ardhshëm strategjik që do të mbahet më 2 qershor në Uashington.
Zonja Donfried pret vazhdimin e diskutimeve të thelluara midis autoriteteve të të dy vendeve lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë dhe në ndarjen e informatave.
Ndalesa e radhës e Ndihmës-Sekretares Donfried është Tirana.
voa