Të dytë do të jenë në të njëjtin forum, por nuk do të jenë pjesëmarrës në të njëjtën ditë dhe as në të njëjtin panel të diskutuesve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të marrin pjesë në forumin “Globsec 2022”.
Ky forum që mbahet nga 2 deri me 4 qershor, në Bratislavë, kryeqytetin e Sllovakisë, dhe mbledh figura të rëndësishme, raporton RTKlive.
Folës në panele të ndryshme janë presidentë, kryeministra, ministra, ish zyrtarë të lartë, gazetarë të njohur, përfaqësues të kompanive të ndryshme e figura të akademive.
Zyra e presidentit të Serbisë, e ka konfirmuar për mediat e atjeshme se Vuçiq do të jetë pjesëmarrës në këtë forum, sot (e enjte).
Bazuar edhe në faqen zyrtare të “Globsec 2022”, rezulton se Vuçiq do të flasë mbi temën “BE-ja dhe Serbia: Partneritet strategjik për të ardhmen”.
E të nesërmen, në të njëjtin vend, do të ketë një panel tjetër diskutuesish, me të cilëve edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, ndryshe nga Vuçiq, Kurti nuk do të jetë i vetëm në panel. Bashkë me të, do të flasin edhe Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor.
Tema që do të diskutojë ky panel është “Tani ose kurrë: Zhbllokimi i të ardhmes evropiane për Ballkanin perëndimor”, raporton RTKlive.
Gjatë dy dekadave të fundit, forumi “GLOBSEC Bratislava”, e ka vendosur veten si platforma lider në rajonin e Evropës Qendrore Lindore dhe një nga konferencat kryesore strategjike në nivel global.
Forumi lehtëson shkëmbimin e lirë të ideve dhe ofron një vend takim për palët e interesuara nga të gjithë sektorët e shoqërisë për të formësuar në mënyrë aktive të ardhmen për veten dhe brezat që vijnë.