Në takimin me Sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, kryeministri i k Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës.
“Kryeministri Kurti theksoi vullnetin për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ai u falënderua për përkrahjen e Zvicrës dhënë popullit të Kosovës, që nga vitet e ‘70-ta dhe theksoi se mërgata jonë atje është ura më e mirë lidhëse mes dy shteteve tona”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Bëhet e ditur se sekretarja Leu e vlerësoi miqësinë vibrante mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e mërgatës së Kosovës në Zvicër. Tha se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.
“Ajo përgëzoi kryeministrin Kurti për përpjekjet në luftimin e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë. Po ashtu potencoi rëndësinë që ka kjo në sigurinë juridike dhe ndikimin në tërheqjen e investimeve në vend”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjatë takimit pos tjerash u theksua se veçanërisht shkëmbimet tregtare dhe investimet në ekonomi mund të rriten.
“Lidhur me situatën gjeopolitike në rajon dhe Evropë, Sekretarja Leu uroi kryeministrin për pozicionimin e qartë me demokracitë perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, thuhet tutje.
Bëhet e ditur gjithashtu se, sekretarja Leu tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon.
“Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë se Republikës së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”.
Kryeministri theksoi se për Qeverinë e Republikës se Kosovës, Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
rtk