Në seancën plenare të Parlamentit Evropian të mërkurën do të votohen raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, që ishin miratuar para një muaji në Komisionin e Politikës së Jashtme. Votimi pason debatin e zhvilluar të martën mbrëma në PE për këto raporte.
Gjatë debatit, sa i përket Kosovës dominuan thirrjet që të liberalizohen vizat dhe të ketë përparim në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Raportin për Kosovën e ka përgatitur deputetja gjermane, Viola von Cramon. Gjatë fjalimit në debatin e 5 korrikut, von Cramon tha se mirëpret qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë dhe bëri thirrje edhe një herë që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm po ashtu se unë personalisht dhe Parlamenti Evropian kemi ngritur vazhdimisht nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, gjë që është zgjatur së tepërmi përkundër faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”, tha von Cramon.
Me përjashtim të disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo do të jetë edhe në versionin përfundimtar të tekstit të raportit që do të votohet të mërkurën.
Teksti pritet të mbetet pak a shumë ashtu siç ishte miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme. Në seancë plenare, sipas deputetëve, do të jetë sfidues vetëm votimi rreth një amendamenti ku kërkohet që marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të dalë nga dialogu, të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë.
Kjo kërkesë ishte miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme edhe pse këtë e kishte kundërshtuar raportuesi për Serbinë, Vladimir Biliçik, i cili është nga Sllovakia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Tani ka përpjekje që formulimi që përfshin njohjen e ndërsjellë të hiqet gjatë votimit në seancën plenare.
Në tekstin e raportit po ashtu përsëritet thirrja që pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën janë: Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Greqia.
Nga Serbia në raport do të kërkohet që të mbështet qëndrimet e BE-së ndaj Rusisë dhe agresionit ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sanksionet që Bashkimi Evropian i ka vendosur kundër Moskës.
Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Ndryshe, rezoluta të tilla të Parlamentit Evropian, që në formën e raporteve individuale për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor miratohen një herë në vit, kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.
rel