Propozimi francez sot në Kuvend/ VMRO: Do ta pengojmë ndryshimin e Kushtetutës

vmroOpozita maqedonase duket se nuk dakordësohet me propozimin francez që sjell zgjidhjen e ngërcit me Bullgarinë, për t’i celur rrugën negociatave me BE.

 

VMRO thekson se “populli i thotë JO bullgarizimit, dhe se ata do të pengojnë ndryshimet kushtetuese dhe me këtë edhe asimilimin e popullit”.
LSDM nuk e ka shumicën për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të bullgarizuar vendin.

“VMRO është pengesë për ndryshimin e Kushtetutës dhe nuk do të mbështesë asgjë që dëmton interesat kombëtare të Maqedonisë. Me votën e sotme, Kovaçevski vetëm konfirmon se është i gatshëm për çdo gjë, vetëm për pushtet”, thonë nga VMRO.

Sakaq, Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjedhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

 

Çfarë përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane. Opozita akuzon Qeverinë se pranimi i propozimit do të “bullgarizojë” maqedonasit, por Qeveria ka siguruar opinionin se gjuha dhe identiteti nuk rrezikohen me propozimin që e sheh si mundësi të vetme për zhbllokimin e integrimit evropian.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por negociatat nuk i ka nisur asnjëherë, fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që u zgjidhur me marrëveshjen mes dy vendeve më 12 qershor të vitit 2018. Por, kontesti me Bullgarisë ka lënë të hapur nisjen e bisedimeve pasi Sofja në nëntor të vitit veton duke e kushtëzuar heqjen saj me zgjidhjen e kontestit për gjuhë, identitetin dhe aspektet historike me Maqedoninë e Veriut.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>