Partneriteti ndërkombëtar që qëndron pas teleskopit hapësinor James Webb po shijon triumfin pas një jave publikimi të imazheve mahnitëse të universit tonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, na sjell më shumë hollësi.
Kjo javë filloi me imazhe mahnitëse nga teleskopi hapësinor James Webb. Ato janë, deri më sot, imazhet më të gjalla dhe më të qarta të universit. Webb përdor teknologjinë infra të kuqe për të shtuar ngjyrat duke përdorur filtra për të krijuar imazhe verbuese që sytë tanë të zhveshur nuk mund t’i shohin. Atë që paraardhësit të tij, teleskopit Hubble, iu deshën dy ditë për të kapur për çdo ngjyrë, teleskopi Webb mund ta bëjë në dy orë.
“Ne pamë më thellë se sa ka shkuar Hubble gjatë gjithë jetës së tij në këtë lloj projekti. Ne po afrohemi gjithnjë e më shumë për të parë gjërat e para që u formuan pas Big Bengut. Tani, pas disa muajsh, ne do të shkojmë 10 herë më thellë, dhe më pas mund të afrohemi edhe më shumë, kështu që kemi gjëra të tjera në të ardhmen”, thotë Marcia Rieke, me teleskopin Webb.
Webb u nis nga Amerika e Jugut ditën e Krishtlindjes, 2021. Ai dërgoi imazhe provë gjatë rrugës për në destinacionin e tij përfundimtar në hapësirë, por asgjë në krahasim me atë që pamë këtë javë.
“I gjithë ky imazh është vetëm fillimi. Pra, ajo që ne po shikojmë është një pjesë e vogël, fare e vogël e qiellit. Në atë copëz të vogël në atë imazh ka mijëra galaktika dhe secila prej tyre është strehë e dhjetëra apo edhe qindra miliarda yjeve”, thotë Ray Jayawardhana, profesor astronomie në Universitetin “Cornell”. Dhe pastaj ishte ky imazh i hapësirës Carina Nebula.
“Jeni duke parë një rajon ku janë formuar disa yje të rinj, dhe në pjesën e sipërme të imazhit që duket si qielli blu, ka disa yje shumë të nxehtë, drita e të cilëve hyn në re, në pjesën portokalli më poshtë… Webb është kaq i aftë për të zbuluar galaktika të largëta, saqë duket sikur ato hyjnë në çdo foto që bën Webb-i”.
Teleskopi Webb gjithashtu kapi këtë spektër të një planeti jashtë sistemit tonë diellor dhe zbuloi praninë e ujit, pavarësisht se planeti ishte shumë i nxehtë për të mbështetur jetën njerëzore. Zbulimi dhe ajo që pritet përpara po mahnisin edhe vetë ekspertët që punojnë në Webb.
“Ja ku jemi në këtë botë të vogël shkëmbore që rrotullohet rreth një ylli të mesëm në periferi të një galaktike, dhe kemi nisur një teleskop – një observator – që është në gjendje të shikojë aq larg në univers dhe kaq larg në kohë duke na njohur me disa nga galaktikat më të reja në ekzistencë. Pra, me të vërtetë, është një ndjenjë përulëse, por edhe vërtet mjaft emocionuese dhe na bën krenarë që jemi në gjendje të bashkohemi – dhjetëra mijëra njerëz kanë punuar për dekada për të arritur në këtë pikë – dhe mund të them se ia ka vlejtur pritja”, thotë Ray Jayawardhana.
Ekspertët që intervistuam japin një parashikim të përbashkët: sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e asaj që Webb-i mund të na mësojë për universin tonë dhe historinë tonë me shumë më tepër fakte që do të vijnë më pas.
voa