Kurti: Serbia po u shmanget bisedimeve dhe zbatimit të marrëveshjeve

Qeveria KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi të mërkurën Serbinë se po u shmanget takimeve në Bruksel dhe zbatimit të marrëveshjeve.

 

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, pas dështimit të mbajtjes së një takimi të paraparë gjatë kësaj jave ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

“Ka pasur që të ndodh në këtë javë një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel midis meje dhe presidentit të Serbisë por sërish janë ata që kanë kërkuar që të shtyhet kjo gjë, pra ata po e shtyjnë dorëzimin e listave të konsumatorëve në veri, ata po e shtyjnë takimin e radhës në Bruksel pra janë ata të cilët nuk ju përgjigjen pozitivisht bisedimeve të cilat zhvillohen atje për çështjet e raporteve midis neve ndërkaq çfarëdo pretekste që përdoren nuk janë të vërteta praktikisht janë veç përpjekje për t’u shfajësuar në kohën e në rastin në të cilin fajësia nuk ka qenë kurrë më e qartë”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se faji për mungesën e takimeve duhet të kërkohet në Beograd e jo në Prishtinë.

Ai akuzoi Serbinë edhe për moslejimin e zbatimit të udhërrëfyesit për energji, një marrëveshje kjo e dakorduar një muaj me parë në Bruksel.

Ky udhërrëfyes parasheh që përveç Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike – KEDS, të licencohet edhe një kompani tjetër për shpërndarjen e energjisë elektrike. Kjo kompani tashmë është licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë dhe me këtë kanë filluar edhe afatet për përmbushjen e marrëveshjes.

“Pra kishim një kalendar të limiteve kohore që nuk matej as me muaj, as javë e ditë, Zyra e Rregullatorit të Enegjisë i kishte dy javë për të bërë licencimin, e bëri brenda dy ditëve e pas licencimit ata e kishin një javë që ta sjellin regjistrin e konsumatorëve gjë që nuk e bën as sot e kësaj dite dhe ne presim reagimin e Brukselit”, tha ai.

Pjesë e diskutimeve në dialogun në Bruksel është edhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri Kurti tha se ekziston një dallim ndërmjet dy vendeve sa i përket emërtimit të personave të zhdukur gjatë luftës.

“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ndërkohë që ne insistojmë që të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për kidnapime, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Andaj insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo gjë”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 dhe tashmë kanë arritur disa marrëveshje por sfidë mbetet zbatimi i tyre. Të dyja vendet po përballen me trysni ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>