Në Shqipëri parlamenti diskutoi sot për miratimin e një rezolute të propozuar nga shumica, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë. Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve të ndryshme në Kosovë.
Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty ishte zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë. Mes akuzave të shumta raporti ngrinte pretendime për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik organesh njerëzore, të shtrirë deri dhe në Shqipëri.
Pas 11 vitesh, parlamenti shqiptar, në një rezolutë të posaçme, vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe se vetë aktakuza e ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimitare, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Rezoluta kërkon që Këshilli i Evropës të rishikojë aktin e miratuar prej tij në 2011, dhe kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg. “Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë dhe do ta bëjë këtë me dinjitet deri në fund me aq sa ka mundësi. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg për këtë çështje dhe Dick Marty sot nuk më anëtar i Asamblesë. Ne s’e kemi fare me Dick Martyn tani, ne e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një asambleje të Këshillit të Evropës që është çuar dhe e ka votuar”, deklaroi zoti Rama.
Kryeministri mbizotëroi skenën e diskutimeve mbi këtë çështje duke ushqyer polemika të ashpra me opozitën e cila nga ana e saj ka propozuar paralelisht dhe dy rezoluta të ngjashme për dënimin e genocidit serb në Kosovë. Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën se e kanë përdorur Kosovën për lojërat të politikës së brendshme.
“Varret masive dhe gjaku dhe nderi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë menu ku fut hundët gjenerali juaj i ushtrisë së vdekur që do të mbledhë këtu të tëra kockat e Ballkanit, për ti bluar me demek në emër të kombit dhe të dinjitetit kombëtar”, u shpreh zoti Rama dukje ju drejtuar opozitës.
Akuzat e shumta të tij sollën dhe momente tensioni në sallë, mes tij dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Më pas zoti Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, e quajti të turpshëm qëndrimin e shumicës ndaj rezolutës së opozitës kundër gjenocidit serb në Kosovë: “Ky akt është çnjerëzor, është antikombëtar. Me asnjë lloj qëndrimi, me asnjë lloj rrugaçerie e shpërfytyrimi që kreu i juaj bën këtu në platformë, nuk mund të mbulojë këtë qëndrim çnjerëzor para së gjithash, pale pastaj antikombëtar”.
Por sipas shumicës, parlamenti shqiptar ka miratuar disa rezoluta e deklarata që nga viti 1998 për këtë çështje.
voa