Betoni është një material ndërtimi jetik, por prodhimi i tij çliron gazra të dëmshëm serrë. Tani, studiuesit japonezë thonë se kanë gjetur një mënyrë alternative të prodhimit të tij nga mbetjet ushqimore. Japonia ka një problem të madh me mbetjet ushqimore, kështu që “çimentoja alternative” mund të jetë një zgjidhje e dobishme. Megjithatë, ka pengesa që duhen kapërcyer sepse substanca e re nuk është e papërshkueshme nga uji dhe mund të dëmtohet nga brejtësit dhe insektet.
Në laboratorin e Universitetit të Tokios, studiuesit kanë një ide që mund të zgjidhë disa probleme. Njëra prej tyre është prodhimi i betonit nga materiale që nuk i shkaktojnë dëm mjedisit përmes çlirimit të karbonit.
Studiuesit Kota Machida dhe Yuya Sakai po zhvillojnë një teknologji për të transformuar mbetjet ushqimore në beton që është miqësor ndaj mjedisit.
“Betoni ka një ndikim të madh negativ mbi mjedisin sepse prodhimi i tij çliron dioksid karboni. Gjithashtu, materialet parësore për betonin, si guri gëlqeror, janë duke u pakësuar në mbarë botën. Doja të krijoja disa materiale që mund ta zëvendësojnë betonin dhe e nisa këtë studim”, thotë zoti Sakai.
Sipas organizatës studimore Chatham House dhe një studimi të publikuar në revistën shkencore, “Nature”, prodhimi i çimentos shkakton rreth tetë për qind të nivelit të përgjithshëm të çlirimit të dioksidit të karbonit në botë.
Studiuesit shpresojnë të ndihmojnë në reduktimin e ngrohjes globale, duke lehtësuar problemet që lidhen me materialet ushqimore të hedhura që lëshojnë metan kur kalben.
Procesi me tre hapa i tharjes, thërrmimit dhe ngjeshjes u krye duke përdorur përzierës dhe kompresorë të thjeshtë që mund të blihen në internet.
“Pastaj, fillova të përdorja materiale të tjera me bazë bimore, si gjethet e çajit. Ky ishte një proces i suksesshëm, kështu që vendosëm ta zgjeronim provën tonë me mbetje perimesh që gjithashtu rezultoi të jetë i suksesshëm”, thotë studiuesi Sakai.
Profesor Sakai dhe studenti i tij Machida vendosën të përqëndrojnë studimin e tyre tek mbetjet ushqimore.
Ky proces ishte i ndërlikuar. Pas muajsh dështimi, studiuesit mësuan se mund ta ngjisnin betonin duke ndryshuar nivelin e temperaturës dhe atë të presionit.
“Qëllimi ynë përfundimtar është që kjo çimento të zëvendësojë produktet e plastikës dhe çimentos tradicionale, pasi është më miqësor ndaj mjedisit. Në procesin e prodhimit, plastika kërkon naftë bruto. Procesi i tanishëm i prodhimit të betonit çliron sasi të madhe të dioksidit të karbonit në atmosferë. Një tipar veçanërisht tërheqës i këtij materiali është se ai mund të ripërdoret pafundësisht. Ne synojmë që ta bëjmë çimenton e prodhuar nga mbetjet ushqimore një produkt të riciklueshëm”, thotë studiuesi Machida.
Studiuesit Sakai dhe Machida thonë se kanë prodhuar me sukses çimento duke përdorur gjethe çaji, lëvore portokalli, qepë, llum kafeje, lakër, madje edhe mbetje të pakove ushqimore.
Studiuesit thonë se betoni mund të bëhet i papërshkueshëm nga uji dhe mund të mbrohet nga brejtësit dhe insektet përmes lyerjes me llak japonez.
Mbetjet ushqimore janë një problem i madh në Japoni dhe në mbarë botën.
Japonia prodhoi rreth 5.7 milionë tonë mbetje ushqimore në vitin 2019, qeveria e vendit synon ta reduktojë atë në rreth 2.7 milionë tonë deri në vitin 2030.
Betoni i prodhuar me mbetje ushqimore mund të ripërdoret dhe mund të tretet biologjikisht, kështu që ai mund të groposet kur nuk është më i nevojshëm.
voa