I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave, që çuan në tensione në fillim të këtij muaji.
Ai i bëri këto komente në përfundim të vizitës në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak,
Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët kryesore për të penguar zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.
Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel me 18 gusht dështuan të sigurojnë një zgjidhje.
Zoti Escobar tha sot se mesazhi i tij për të dyja palët ishte i thjeshtë: “duam përkushtimin e të dyja palëve se do të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë rrugë konstruktive përpara”.
Ai tha se pret që para fundit të muajit, do të gjendet një zgjidhje.
“Shpresa ime është se më 1 shtator qytetarët në veriun e Kosovës nuk do të shohin asnjë ndryshim në jetën e tyre. Me fjalë të tjera nuk do të jenë të ngarkuar me procedura shtesë administrative, nuk do të jenë vizitorë në vendin e tyre dhe do të njihen si qytetar me shtetësi të dyfishtë, të Kosovës dhe Serbisë dhe të vazhdojnë të jetojnë në paqe. Kjo është pritja ime, kjo është shpresa ime”, tha zoti Escobar.
Zoti Escobar dhe zoti Lajçak, kanë vazhduar gjatë natës diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Mëngjesin e së premtes zoti Lajçak tha se “pas një rundi të dytë të diskutimeve në orët e vona të natës, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. Vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit Vuçiç për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, shkroi ai.
Presidenti serb tha po ashtu se do të vazhdojmë bisedimet dhe “besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”.
Të dy diplomatët qëndruan në Prishtinë para se të shkonin në Beograd dhe gjatë kësaj kohe bënë thirrje për shmangien e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme.Zoti Escobar tha se të dyja palët shprehën përkushtimin për angazhim në proces ndërsa nënvizoi se do të vazhdohet trysnia mbi palët që të ruajnë paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon.
“Ne besojmë se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që do të hap ardhmërinë evropiane për të dyja vendet”, tha zoti Escobar duke theksuar se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
voa