Një problem me motorin e ka detyruar NASA-n të shtyjë lëshimin e raketës së re drejt hënës, në një fluturim prove pa ekuipazh. Një provë e dytë pritet të bëhet të premten.
Raketa e njohur ndryshe si “Space Launch System”, rreth 100 metra e lartë, kishte si mision të çonte një kapsulë në orbitë rreth Hënës.
Një nga drejtuesit e NASA-s, Jeremy Graeber tha se fillimisht inxhinerët kishin vërejtur rrjedhje dhe më pas kishte nisur puna për furnizimin me hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm të raketës.
“Space Launch System” është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, duke tejkaluar edhe “Saturn V” që çoi astronautët e misionit “Apollo” në Hënë.
Asnjë astronaut nuk ishte brenda kapsulës së raketës, të njohur ndryshe si “Orion”. Brenda kapsulës ishin vendosur disa aparatura që do të masnnin dridhjet, rrezatimin kozmik dhe kushte të tjera në fluturimin gjashtë-javor.
Më pas, në muajin tetor, kapsula do të rrëzohej në oqeanin Paqësor.
Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, në vitin 2025, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.
voa