Corona: Kina po mbyllet sërish – pasojat e rënda ekonomike

coronaDisa qytete të mëdha kineze kanë shtrënguar masat e tyre kundër përhapjes së pandemisë Corona. Janë prekur edhe disa qendra të mëdha industriale.

 

Qendra e teknologjisë Shenzhen, qyteti port Dalian dhe metropoli ekonomik Guangzhou. Kjo është lista e qyteteve kryesore kineze të prekura nga kufizimet për shkak të pandemisë Corona, e kjo listë po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Qendra për analiza Capital Economics numëroi 41 qytete kineze nën masa të mërkurën, të cilat përbëjnë 32 përqind të prodhimit ekonomik të Kinës.

“Për momentin dëmtimet që po shkaktojnë këto masa janë modeste, por rreziku i dëmeve po rritet”, paralajmëroi ekonomisti Julian Evans-Pritchard i Capital Economics. “Por edhe nëse dëmet shmangen, ne presim që rritja ekonomike të jetë më e ultë në të ardhmen.”

Guangzhou afër Hong Kongut, i cili ka pothuajse 19 milionë banorë, raportoi vetëm pesë infeksione të mërkurën. Megjithatë autoritetet urdhëruan që restorantet të mbyllen deri të shtunën në zona të caktuara dhe të anulohen edhe ngjarjet brenda objekteve. Të mbyllura duhet të qëndrojnë edhe kopshtet si dhe shkollat ​​fillore, të mesme dhe të larta, ndërsa semestrat e vjeshtës në universitete do të shtyhen. Lidhjet e autobusëve dhe metrosë gjithashtu janë reduktuar.

 

Qendra teknologjike Shenzhen ka urdhëruar tashmë mbylljen e objekteve argëtuese dhe kulturore në të paktën katër rrethe me një total prej rreth nëntë milionë banorësh. Restorantet gjithashtu nuk do të mund të hapen ose do të hapen vetëm në një masë të kufizuar për disa ditë. Prodhimi ekonomik i Shenzhenit dhe Guangzhou së bashku arriti në 5,89 trilion juanë (rreth 850 miliardë euro) vitin e kaluar. Për krahasim: Kjo korrespondon me rreth gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të Koresë së Jugut.

 

Pasojat për ekonominë gjermane

Sipas Institutit të Kielit për Studime Ekonomike (IfW), bllokimet komunale tashmë po përkeqësojnë pengesat në zinxhirët e furnizimit global. Sidoqoftë, kufizimet aktuale në Shenzhen dhe qytete të tjera nuk janë ende të krahasueshme me bllokimin drastik në Shangai në pranverë. “Nëse rastet e Covid-19 vazhdojnë të rriten, një bllokim edhe më i rreptë, veçanërisht në Shenzhen dhe rreth tij, mund të rëndojë zinxhirët e furnizimit dhe biznesin e Krishtlindjeve”, paralajmëroi eksperti i tregtisë i IfW, Vincent Stamer. “Sepse provinca e Guangdong rreth metropoleve Guangzhou dhe Shenzhen në deltën e lumit Pearl është provinca e Kinës me eksportet më të mëdha. Shumë mallra të konsumit për tregun gjerman prodhohen atje.”

 

Kina në fakt donte të arrinte një rritje ekonomike prej 5,5 përqind këtë vit, gjë që duket gjithnjë e më pak reale. Ekspertët presin vetëm katër përqind për shkak të kufizimeve të Covidit dhe problemeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Industria kineze u tkurr përsëri në gusht, sipas sondazhit të Zyrës së Statistikave. Indeksi i blerjeve ka rënë me 0.4 pikë, dhe tani është 49.0 pikë. Rritja ekonomike është e mundur vetëm nëse indeksi i konsumit kalon shifrën prej 50 pikë. Ekonomia nuk është prekur vetëm nga masat e Coronës, por edhe nga vala më e keqe e të nxehtit dhe thatësirave atje që nuk mbahen mend për dekata të tëra, si dhe krizës në tregun e pasurive të paluajtshme.

Prandaj, ekonomistët bankarë kanë ulur parashikimin e tyre për rritjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë pas SHBA-së. Ekspertët nga ANZ, për shembull, presin në Kinë vetëm një rritje të prodhimit të brendshëm bruto prej tre përqind këtë vit, e më parë ishte pritur katër përqind.

 

bc/iw/bea (rtr, dpa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>