Pas stuhisë dhe reshjeve të rrëmbyeshme që kapluan Shkupin pasditen e së martës, të mërkurën ekipet komunale kanë dalë për të pastruar rrugët dhe objektet e përmbytura duke larguar ujin me pompa, si dhe duke bërë sanimin e defekteve në rrjetin elektrik.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thanë se kanë pranuar rreth 180 thirrje nga qytetarët, të cilët kanë kërkuar ndihmë. Emergjencat e tyre kishin të bënin me përmbytje të objekteve, dëmtim të automjeteve nga drunjtë e rrëzuar, dëmtim të strukturave të çative, bllokim të veturave në nënkalimet e përmbytura, si dhe dëmtime në shtyllat elektrike që lanë pa rrymë disa pjesë të kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pasi mblodhi Shtabin e Krizës në orët e vona të së martës, bëri të ditur se stuhitë e shiut në 30 lokacione kanë shkaktuar vërshime.
kipet e përbëra nga ndërmarrjet publike po pastrojnë në terren ku do të qëndrojnë deri në sanimin e plotë të problemeve në zonat kritike. Të gjitha ekipet janë mobilizuar dhe ndodhen në terren, përfshirë edhe zjarrfikëset e qytetit të Shkupit, ku me një ndërhyrje të suksesshme arritën të shpëtojnë mbi 20 persona”, tha Arsovska.
Ajo theksoi se do të kërkohet edhe përgjegjësi për infrastrukturën joadekuate për mbledhjen e ujërave atmosferike.
“Pas çdo shiu, me kova e largojmë ujin nga shtëpitë”
Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se fajtor për përmbytjet nuk është shiu, por autoritetet komunale dhe ata të pushtetit qendror që kanë lejuar ndërtimin e objekteve shumëkatëshe, ndërkohë që rrjeti i kanalizimit dhe ai i ujërave atmosferike mbetet po ai që ishte para një gjysmë shekulli.
Hatixhe Sulejmani thotë se për më shumë se 50 vjet jeton në lagjen Seravë në Çair të Shkupit, vetëm 1.5 kilometra larg sheshit të Shkupit. Pas ndërtimit të shumë objekteve në këtë lagje, ajo thotë se rrjeti i kanalizimit nuk arrin t’i përthithë ujërat nga reshjet, por bashkë me ujërat e zeza i nxjerr jashtë duke përmbytur shtëpinë e saj dhe ato të fqinjëve.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë në ministri, të gjejnë një zgjidhje për shtëpitë në lagjen e Seravës se shpirti është duke na dalë”, u shpreh ajo.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se me cilat problem përballet, Hatixhe Sulejmani, thotë:
“Rrugët janë mbushur me rërë pas ndërtimit të ndërtesave që i shihni, kanalizimi nuk bën dhe ai pak që është, është i bllokuar se njerëzit nuk mendojnë”.
Ajo shton se shtëpia e saj ka filluar të përmbytet viteve të fundit, pas ndërtimeve të objekteve shumëkatëshe vetëm pak metra nga shtëpia e saj.
Banorët e shumë lagjeve të Shkupit ankohen edhe për faktin se autoritetet komunale nuk i mirëmbajnë pusetat e parapara për mbledhjen e ujërave atmosferike për të parandaluar vërshimet.
“Nuk i pastrojnë me kohë dhe ja kemi probleme. Më herët, çdo javë Higjiena Komunale i pastronte dhe pusetat e ujërave atmosferike nuk linin pikë uji”, thotë Dragi Angellovski banor nga Komuna Qendër.
“Shihe tani uji ecën si lumë, askund nuk ndalet, s’ka ku shkon. Shihni pusetat janë bllokuar nga bërlloku dhe s’lejojnë të përthithet uji nga shiu”, thotë Avniu, një tjetër banor teksa po tentonte të zhbllokonte një pusetë në Komunën e Çairit.
Pikat më kritike në Shkup
Si pika më kritike gjatë të reshurave të rrëmbyeshme të shiut viteve të fundit mbeten nënkalimi nën Sheshin Skënderbeu, qarkorja para hotelit Kontinental dhe qendrës së re tregtare, East Gate.
Por, nga reshjet fundit, u përmbytën edhe shumë objekte të reja që janë lëshuar në përdorim jo më shumë se një ose dy vjet, siç është hapësira për parkim e qendrës tregtare East Gate, ndërtesa e re Shtëpisë së Shëndetit “Majçin Dom” në lagjen Aerodrom, si dhe disa ndërtesa dhe parkingje.
Arkitektët thanë se fluksi i ndërtimit viteve të fundit ka zhdukur hapësirat e gjelbra që luanin rolin e ‘shpuzës përthithëse’ të ujërave të menjëhershme.
“Dje kishim erëra të fuqishme me të reshura të rrëmbyeshme të shiut, që duhej ta përthithte toka, pasi asnjë sistem apo rrjet kanalizimi, sido që të jetë i dimensionuar, në këtë rast ai atmosferik nuk mund të pranojë aq ujë sa mund të lëshojë natyra në formë të të reshurave. Andaj nevojiten hapësirat e gjelbra që do të thithnin pjesën më të madhe të ujit nga të reshurat sikurse një shpuzë. Përderisa qyteti betonohet në çdo cep, uji s’ka ku shkon dhe ky ujë nga shirat përmbyt gjithandej objektet”, thotë arkitektja Danica Pavllovska – Cigi.
Më shumë investime për të përmirësuar infrastrukturën
Ndërtuesit thonë se autoritetet duhet të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës.
“Infrastruktura nuk i plotëson kushtet në shumë lagje të qytetit të Shkupit. Duhet të qartësojmë se nuk janë shkaktarë të vërshimeve të vjetra ndërtimet e reja, por infrastruktura e vjetër e cila nuk plotëson standardet mbase edhe për ato pak shtëpi që kanë qenë para shumë viteve. Tani me ndërtimet e reja, infrastruktura rëndohet dhe shpërfaq problemin me infrastrukturën joadekuate”, u shpreh Salim Asani, ndërtues.
Ai thotë se objektet që ka ndërtuar asnjëherë s’kanë pasur problem me përmbytjet, për dy faktorë: cilësinë e ndërtimit dhe për faktin se asnjëherë nuk ka preferuar të ndërtojë në hapësira ku infrastruktura nuk është e mirë.
Stuhia e shiut me reshje të dendura që shkaktoi vërshime është shfrytëzuar dhe nga partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë për të fajësuar njëra-tjetrën për infrastrukturën, e cila nuk u përgjigjet standardeve të kohës.
Kryetarët e komunave pjesë përbërëse e Shkupit, ai Qendrës, Aerodromit, Butelit dhe Kiselavodës postuan shumë fotografi duke ndihmuar qytetarët.
Por, qytetarët thonë se degët e drunjve i largojnë vetë, porse ata kanë nevojë për politika të shëndosha të urbanizimit që të jenë të sigurt në vendbanimet e tyre.
Pos Shkupit me rrethinë, nga vërshimet janë prekur edhe disa qytete të tjera të Maqedonisë Lindore si: Shtipi, Demirhisari, Velesi dhe Sveti Nikole.
rel