Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të enjten sanksione të reja kundër shtatë zyrtarëve të policisë iraniane të sigurisë dhe edukimit moral, duke i akuzuar ata për shkelje të të drejtave të grave, aktivistëve të shoqërisë civile dhe protestuesve paqësorë.
Sanksionet e reja synojnë kreun e policisë famëkeqe të edukimit moral të Iranit, Mohammad Rostami Cheshmeh Gachi, dhe drejtorin e forcës për Teheranin, Haj Ahmad Mirzaei. Mirzaei thuhet se është pezulluar nga posti i tij pas protestave për vdekjen e një gruaje të re iraniane, Mahsa Amini, nën mbikëqyrjen e tij.
Amini, 22 vjeç, u deklarua e vdekur në një spital më 16 shtator, pasi kaloi tre netë në një qendër paraburgimi të edukimit moral në Teheran, ku dyshohet se u torturua sepse nuk mbante siç duhet shaminë.
Sanksionet amerikane vënë gjithashtu në shënjestër Esmail Khatibin, Ministrin e Inteligjencës së Iranit, Salar Abnoush, zëvendës komandant i forcave Basij, Qasem Rezaei, zëvendës komandant i Forcave të Zbatimit të Ligjit (FZL), Manouchehr Amanollahi, një komandant provincial i FZL dhe Kiyumars Heidari, komandant. të forcave tokësore të ushtrisë iraniane.
“Këta zyrtarë mbikëqyrin organizatat që përdorin në mënyrë rutinë dhunë për të shtypur protestuesit paqësorë dhe anëtarët e shoqërisë civile iraniane, disidentët politikë, aktivistët e të drejtave të grave dhe anëtarët e komunitetit iranian Bahá’í,” tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë të enjten.
Sipas sanksioneve, të gjitha pronat dhe pasurit e këtyre zyrtarëve iranianë në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe çdo marrëveshje financiare me ta, në SHBA dhe jashtë saj, është e ndaluar.
“Qëllimi përfundimtar i sanksioneve nuk është ndëshkimi, por sjellja e një ndryshimi pozitiv në sjellje”, shtohet në deklaratën e Thesarit.
Dhjetra zyrtarë të tjerë, entitete dhe individë të tjerë iranianë janë tashmë nën sanksionet e SHBA-së për arsye të ndryshme si mbështetje e dyshuar për terrorizmin, armët bërthamore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Garda Revolucionare Iraniane kërcënon protestuesit
Garda Revolucionare e Iranit u bëri thirrje të enjten organeve të drejtësisë të Republikës Islamike të ndjekin penalisht ata, që sipas saj, përhapin lajme të rreme e thashetheme lidhur me arsyet e vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës që mbahej në paraburgim. Vdekja e saj ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare.
Gjatë ditës së sotme, protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera të vendit dogjën stacione policore e automjete, mes një zemërimi në rritje të publikut që nuk po shuhet.
Mahsa Amini, ra në koma dhe vdiq javën e kaluar në paraburgim. Ajo u arrestua në Teheran për shkak të asaj që u cilësua si “veshje e papërshtatshme”. Autoritetet kanë thënë se do të nisin një hetim mbi shkakun e vdekjes së saj.
Në një deklaratë, Garda Revolucionare i shprehte ngushëllimet familjes dhe të afërmve të 22 vjeçares.
“Kemi kërkuar nga drejtësia që të identifikojë ata që përhapin lajme të rreme dhe thashetheme në rrjetet sociale si dhe në rrugë, e që rrezikojnë sigurinë psikologjike të shoqërisë. Do përballemi me ta me vendosmëri”, thuhej në deklaratë.
Mediat iraniane njoftuan se të premten janë planifikuar të mbahen protestat pro-qeveritare.
“Vullneti i popullit iranian është ky: mos i kurseni kriminelët”, shkruhej një kryeartikull të gazetës me ndikim Kayhan, një botim i linjës së ashpër.
Protestat për vdekjen e Mahsa Aminit janë më të mëdhatë e zhvilluara në Republikën Islamike që nga viti 2019. Shumica janë përqendruar në veriperëndim të Iranit të populluar nga kurdët, por janë përhapur edhe në kryeqytet e të paktën 50 qytete e qyteza, në mbarë vendin. Policia ka përdorur forcën për të shpërndarë protestuesit.
Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara kërkuan që të mbahet përgjegjësi për vdekjen e 22 vjeçares.
voa