NATO dhe BE i quajnë akte sabotazhi shpërthimet në tubacionet “Nord Stream”

harta nord streamAleanca e NATO-s dhe Bashkimi Evropian theksuan sot nevojën për të mbrojtur infrastrukturën jetike të energjisë, pas atyre që ata i quajtën akte të “sabotazhit” në tubacionet “Nord Stream”, ndërsa Bruskeli paralajmëroi një “përgjgjigje të fuqishme dhe të bashkuar” nëse do të ketë sulme të tjera të ngjashme.

 

Shpërthimet tronditën Detin Baltik para se të zbuloheshin dy rrjedhje të pazakonta në dy tubacione nënujore të gazit natyror që kalojnë nga Rusia në Gjermani. Incidenti ndodh ndërsa janë shtuar tensionet mes Perëndimit dhe Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Bashkimi Evropian dyshon se dëmet në dy tubacionet nënujore të gazit natyror “Nord Stream” janë akte sabotazhi dhe paralajmëron për reagim të fortë ndaj çdo sulmi kundër rrjeteve energjetike të Evropës, tha sot një zyrtar i lartë i BE-së, ndërsa kompanitë e energjisë filluan të rrisin sigurinë.

Zhvillimet e fundit vunë në pah brishtësinë e infrastrukturës energjetike të Evropës dhe rritën tensionet në kontinentin që është tronditur nga lufta shtatë-mujore në Ukrainë.

Sizmologët raportuan për shpërthime të fuqishme në Detin Baltik para se të zbuloheshin rrjedhjet e pazakonta në dy tubacione nënujore që eksportojnë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

“Të gjitha informacionet tregojnë se rrjedhjet janë rezultat i akteve të qëllimshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell në një deklaratë në emër të 27 anëtarëve të bllokut.

“Çdo goditje e qëllimshme kundër infrastrukturës energjetike evropiane është e papranueshme dhe do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar”, shtoi ai.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i quajti akte të sabotimit rrjedhjet në tubacionin “Nord Stream”.

“Diskutuam për mbrojtjen e infrastrukturës jetike në vendet anëtare të NATO-s”, shkroi në Twitter udhëheqësi i aleancës ushtarake perëndimore pas një takimi në Bruksel me ministrin danez të Mbrojtjes.

“Ajo që mund të themi për incidentin është se nuk është një rastësi. Ishte i planifikuar mirë dhe ndikimi, siç edhe mund ta shihni në pamjet që janë publikuar, është shumë i madh”, tha ministri Morten Bodskov.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha dje se Uashingtoni është i angazhuar për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së sigurisë energjetike në Evropë në një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.

“Raportet fillestare tregojnë se ky mund të jetë rezultat i një sulmi ose një lloj sabotimi. Nëse konfirmohet, kjo nuk është në interesin e askujt”, tha sekretari amerikan Antony Blinken.

Ndërkohë kryeministrija në detyrë e Suedisë, Magdalena Andersson tha se ky nuk është një sulm kundër territorit të Suedisë ose Danimarkës.

“Është e rëndësishme të theksohet se këto shpërthime nuk kanë ndodhur brenda ujërave territoriale suedeze dhe daneze, por në zonat ekonomike të vendeve tona dhe Nord Stream 1 dhe 2 nuk janë në pronësi të Suedisë dhe Danimarkës”, tha ajo.

Rusia ka ulur furnizimin me gaz në Evropë pasi Perëndimi vendosi sanksione kundër Moskës pas sulmit të saj kundër Ukrainës.

Kremlini i ka quajtur qesharake pretendimet se Rusia qëndron pas sulmeve ndaj tubacioneve.

Agjencitë gjermane të sigurisë frikësohen se “Nord Stream 1” do të jetë i papërdorshëm përgjithmonë, pas rrjedhjeve të mëdha, njoftoi e përditshmja gjermane Tagesspiegel, duke cituar burime qeveritare.

Nëse rrjedhjet në dy linjat e “Nord Stream 1” nuk riparohen me shpejtësi, sasia e madhe e ujit të kripur që do të hyjë në tubacione do t’i dëmtojë ato, shkruan gazeta.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>